Protesta e ditës së 34-t dhe rezistenca historike e qytetarëve ndaj pushtetit mblodhi përsëri një numër masiv shqiptarësh edhe sot, duke nisur nga “Sheshi Skënderbej” në Tiranë.
Ndërsa dënuan dhunën e Policisë në protestën e të enjtes para Kuvendit, ata me parulla, pankarta në duar dhe thirrje, kërkuan dorëheqjen e qeverisë.
Me thirrje “Ju erdhi fundi”, “Rama jepe dorëheqjen”, “Revolucion” dhe pankarta kundër keqqeverisjes, ata u grumbulluan në zemër të kryeqytetit të solidarizuar.
“Pa dhënë dorëheqjen Rama ne nuk ndalojmë”, ishte apeli i tyre i përbashkët, në një revoltë kundër qeverisjes.
Një prej protestuesve, emigrant nga Greqia, teksa mbante plis dhe flamurin kombëtar në krahë, tha se keqqeverisja e ka sjellë situatën deri në këtë pikë, ku thika ka shkuar në eshtër.
“Jo vetëm unë, por një grup emigrantësh nga Athina kemi ardhur direkt nga Greqia me avion. Jemi të revoltuar, na ngjethet mishi kur pamë pamjet e dhunimit të atij fëmijës dhe reagimit të babait ndaj edhe kemi ardhur për të qenë pjesë e kësaj proteste dhe që ëndrra ime e vitit 90-të të përfundojë këtu. Përtej modestisë kam qenë organizator i protestave në sheshin Sintagma në Athinë, edhe pse pjesëmarrja la për të dëshiruar për shkak të patronazhistët, që manipuluan edhe votat me postë”, u shpreh ai mes të tjerash.
Kurse pyetjes në lidhje me akuzat e kryeministrit për agjenturat greke në këtë protestë, ai u përgjigj:
“Edhe para 15 ditëve u prezantova, unë jam ai agjenti grek që thotë kryeministri. Ne jemi të shkelmuar, të keqtrajtuar nga ky kryeministër kriminel që duhet të japë dorëheqjen dhe që s’ka rrugë tjetër. Jemi të zhgënjyer, të zhvatur, duke kujtuar edhe aktet e dhunës në Kakavijë, madje as për ndryshimin e emrave tanë me asnjë ndërhyrje nga qeveria. Ne kërkojmë të japi dorëheqjen me patjetër”.
Në fund ai u shpreh se pasi të japë dorëheqjen, i garantohej kryeministrit një vend me kushte të mira atje ku do shkonte pasi të përballej me drejtësinë. Ai bëri thirrje për fundin e një tranzicioni të tejzgjatur.
“Garantojmë e japim besën se kushtet atje ku do vejë do jenë më të mira se ato të paraardhësve të tij. Boll me këtë tranzicion, t’i japim fund, t’i hapet rruga Shqipërisë, me tranzicionin që ka tejzgjatur, se familjeve shqiptare i ka vajtur thika në eshtër. Nuk di tjetër të them, ishalla Zoti na ndihmon”, përfundoi ai.
© Panorama.al













