Policia, uniformë të re në 99-vjetorin e krijimit

Jan 14, 2012 | 12:27

Prezantimi i uniformës së re të policisë në ceremoninë e djeshme

Dekorohet oficeri i RENEA-s, shpëtoi të moshuarin nga vetëvrasja te “Don Bosko”

Policia e Shtetit kremtoi dje 99-vjetorin e krijimit, me një ceremoni ku u ekspozuan për herë të parë edhe uniformat e reja të punonjësve të rendit. Në ceremoninë e festimeve u shpërndanë edhe 19 certifikata e medalje nderi për profesionalizëm, përkushtim, por edhe për punonjës policie që kanë rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar jetën e qytetarëve. Kryeministri Sali Berisha, i pranishëm gjatë ceremonisë festive, tha se në këto vite Policia e Shtetit ka përmirësuar ndje-shëm standardin e respektimit prej saj të të drejtave dhe lirive të qytetarëve shqiptarë. “Unë ju inkurajoj dhe kërkoj nga ju që në çdo veprim tuajin të mbani parasysh respektin e dinjitetit njerëzor. Mos harroni kurrë se njeri i lirë dhe vend i lirë, para së gjithash dhe mbi të gjitha, do të thotë dinjitet”, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij. Ndërsa në fund i premtoi Policisë së Shtetit se qeveria do të ta mbështesë me të gjitha mjetet, do të bëjë gjithçka për modernizimin e mëtejshëm dhe për konsolidimin e bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë.
UNIFORMAT E MEDALJET
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, hapi ceremoninë festive me rastin e 99-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit. Veç reformave të herëpashershme që ka pësuar Policia e Shtetit gjatë viteve të fundit, në infrastrukturë dhe modelin e ri të policimit, që sipas Burgajt janë një investim i suksesshëm i qeverisë dhe donatorëve, së fundi, një investim tjetër i rëndësishëm është edhe uniforma e re e Policisë. “Nga dita e sotme (dje), oficerët e Policisë do të përdorin uniformën e re, prodhimi e financimi i së cilës u mundësua falë kujdesit personal të zotit Kryeministër. Gjej rastin ta falënderoj në emër të kolegëve të mi dhe institucionit që përfaqësoj”, u shpreh Burgaj gjatë fjalës së tij. Në fund të ceremonisë, ministri i Brendshëm akordoi medalje për 6 punonjës policie, për merita të veçanta në luftën ndaj krimit, sigurimin e rendit e të qetësisë publike, si dhe për akte heroike, duke vënë në rrezik jetën e tyre për shpëtimin e jetës së qytetarëve. Medalja e vetme për “Shpëtim Jete” iu akordua oficerit të repartit RENEA, Ardian Dibra, për ngjarjen e korrikut të vitit të kaluar, kur rrezikoi jetën e tij, duke rënë nga shtylla, për të shpëtuar një qytetar që tentonte vetëvrasje. Ndërsa medalje “Nderi” iu akorduan drejtuesit të parë Edmond Rizaj, shef i Antitrafiqeve në Policinë e Shtetit, kryekomisarit Fatmir Amuli dhe nënkomisarit Enea Kaçi. Medalje për “Trimëri” morën komisar Vladimir Doko, kryeinspektor Fatmir Deda dhe inspektor Ervin Gjana. Ndërsa nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë u akorduan certifikata lavdërimi për 13 punonjës policie të niveleve të ndryshme, të cilët janë shquar për profesionalizëm, përkushtim dhe devotshmëri në përmbushjen e detyrave.

Policët e liruar, festë paralele
Paralelisht me festën zyrtare me rastin e 99-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, ditëlindja e Policisë është festuar edhe nga ish-punonjësit e Policisë, të cilët janë liruar nga detyra e tyre e mëparshme. Punonjësit e liruar të Policisë së Shtetit kanë organizuar një ceremoni festive në ambientet e Shtëpisë qendrore të Ushtrisë në Tiranë, ku kanë shkëmbyer urime me njëri-tjetrin. Prej disa vitesh, krijimi i institucionit të Policisë së Shtetit festohet ndarazi, në dy ceremoni të ndryshme. Në ceremoninë që marrin pjesë punonjësit aktualë të Policisë dhe në festën tjetër që e organizojnë ish-policë dhe ish-drejtues policie.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura