
TIRANE- Emiljano Shullazi, ish i dënuar për trafik droge mësohet se është shoqëruar për në polici.
Burime të policisë bëjnë me dije se Shullazi është ndaluar në afërsi të shtëpisë së tij, bashkë me dy miq, mes të cilëve edhe Gilmando Dani.
Shoqërimi i tyre është bërë pas konstatimit të policisë se të shoqëruarit mbanin armë pa leje. Nga kontrollet e policisë të ndaluarve iu janë gjetur edhe disa maska.
Emiljano Shullazi është arrestuar disa herë nga policia, ndërsa ka vuajtur dënim më burg për trafik droge. Shullazi është arrestuar edhe gjatë zgjedhjeve vendore të 8 majit, pasi u përfshi në një incident elektoral në Farkë të Tiranës. Gjykata e Tiranës e la atë të lirë nga qelia më 24 prill të këtij viti.
Miku i tij, Gilmando Dani ka mbetur i plagosur gjatë një atentati në afërsi të shtëpisë së tij më 25 qershor 2011. Sipas Policisë, 33-vjeçari i arrestuar dy herë më parë në kryeqytet ishte qëlluar dy herë me armë, por kishte marrë vetëm një plumb në këmbë.
Emri i personit te tretë te ndaluar, ende nuk behet i ditur.
© Panorama.al











