Policia ndalon gruan, e pafajshme për grabitje

Sep 6, 2011 | 11:27
Gjykata e Krimeve të Rënda

TIRANE – Një 32-vjeçare është arrestuar gabimisht dy ditë më parë nga Policia e Tiranës, si e kërkuar me akuzën e “vjedhjes me dhunë” të kryer në bashkëpunim. Rudina Prifti u arrestua mesditën e së dielës në kryeqytet dhe, sipas policisë, prangosja e saj u krye në bazë të vendimit të datës 3 dhjetor 2010, kur Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, ka caktuar ndaj saj në mungesë, masën e sigurisë “arrest me burg”. Nga vendimi i parë i Gjykatës së Krimeve të Rënda, rezulton që Rudina Prifti, në bashkëpunim me “të dashurin” e saj dhe një tjetër person, kanë vjedhur me dhunë biznesmenin Arben Prifti (kunati i të arrestuarës). Siç ishte akuzuar, shtetasja Rudina Prifti dyshohej se kishte bashkëpunuar me autorët e ngjarjes duke i informuar ata për sasinë e parave që kunati i saj mbante në shtëpi. Pasi kanë marrë informacion për paratë, autorët me anë të telefonit kanë kërcënuar biznesmenin, duke i kërkuar 70 mijë euro, në rast të kundërt, do t’i shkatërronin bizneset dhe do t’i vrisnin nipat. Policia tha se ekzekutoi vendimin e Gjykatës, por, me sa duket, oficerët e Kërkimit që kryen arrestimin nuk kanë qenë të informuar për vendimin e formës së prerë, të shpallur po nga kjo Gjykatë, një vit më vonë, më datë 16 maj 2011. Ky vendim, dënon dy bashkëpunëtorët e saj dhe shpall të pafajshme Rudina Priftin, duke i hequr masën “arrest me burg”, të dhënë më 3 dhjetor 2010. Zyrtarisht, nga Drejtoria e Policisë së Tiranës thuhet se materialet për pafajësinë e saj nuk janë dërguar nga Prokuroria dhe, për sa kohë ajo zyrtarisht rezulton në kërkim, vazhdon të qëndrojë e arrestuar, deri në sqarimin e situatës. Më 9 maj të vitit 2010, rreth orës 02:30, dy persona të maskuar dhe me armë janë futur në banesën e biznesmenit Arben Prifti, te lagjja e njohur si “Kodra e Priftit”, në Tiranë. Biznesmeni është vëllai i ish-bashkëshortit të të arrestuarës Rudina Prifti. Ajo, deri disa muaj më parë, jetonte në të njëjtën shtëpi me të, vjehrrën dhe dy fëmijët, pasi i shoqi ishte i arrestuar në Itali. Grabitësit, sipas vendimit të Gjykatës, kanë përdorur një çelës, që dyshohet të jetë siguruar nga motra e të dyshuarës, Rundina Prifti, pasi kjo e fundit kishte ikur në Itali dhe kishte informuar të afërmit se tashmë bashkëjetonte me një tjetër person. Ky person është identifikuar më vonë si Xhovalin Hasani, një prej autorëve të grabitjes. Nga hetimet e kryera nga Policia dhe Prokuroria, rezulton që udhëzimet për grabitjen e Arben Priftit janë dhënë nga Italia, nga Rudina Prifti. E cila ka informuar gjithashtu, se në shtëpi ndodheshin 70 mijë euro, madje duke përcaktuar qartë edhe vendin se ku ndodheshin paratë. Dy autorët e maskuar nuk kanë arritur të vjedhin këtë shumë, edhe pasi kanë dhunuar fizikisht biznesmenin Prifti, pasi janë frikësuar në momentin kur nëna e tij po kërkonte ndihmë. Autorët kanë arritur të vjedhin rreth 3800 euro natën e ngjarjes. Ndërsa, në ditët në vazhdim, Arben Prifti ka marrë telefonata kërcënuese nga numra anonimë, që t’u dorëzonte 70 mijë eurot që kishte në shtëpi, ndryshe, do t’i shkatërroheshin bizneset elektroshtëpiake që ai ka në Tiranë. Ndërsa telefonatat e tjera kërcënuese shkonin deri te presioni se do t’i vrisnin nipat e tij. Autorët u identifikuan me anë të hetimeve speciale, përgjimeve telefonike, të kryera në bashkëpunim edhe me Policinë Italiane. Dhe deri para disa muajsh, njëra prej të dyshuarave ishte edhe Rudina Prifti, e cila, në maj të këtij viti, u shpall e pafajshme për mungesë provash.

© Panorama.al

Te lidhura