TIRANË- Makina me të cilën u ndalua nga policia Emiljano Shullazi nuk është pronë e Kuvendit. Këtë deklaratë ka bërë sot policia e Tiranës, duke sqaruar për mediat, se automjeti në fjalë ka qenë i shitur në ankand.
“Në lidhje me automjetin tip Benz me targë TR.2703 L, i përdorur gjatë momenteve të kapjes në flagrancë për armëmbajtje pa leje të shtetasit Emiljano Shullazi, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, sqaron opinionin publik se : Automjeti me targë TR.2703 L, nuk është pronë e Kuvendit të Shqipërisë, pasi më datë 19 Shtator 2011 shtetasi Besnik Dogushi, ka blerë këtë automjet me ankand nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit”, ka sqaruar policia përmes një deklarate për shtyp.
Sipas deklaratës, shtetasi Dogushi e ka lënë makinën për shitje në një pikë servisi, ku Shullazi e ka blerë, duke e përdorur më pas pa ndryshuar pronësinë.
“Gjatë deklarimeve të dhëna në polici, shtetasi Besnik Dogushi thekson se, automjetin me targë TR.2703 L e ka lënë për t’a shitur në servisin e Mercedez Benz në Laprakë dhe më pas këtë automjet e ka blerë në këtë servis, shtetasi Emiljano Shullazi, pa kryer ende veprimet ligjore për ndërrimin e pronësi”, thuhet në të.
© Panorama.al











