Një këngë me motive turke, melodi e huazuar nga këngëtari Ibrahim Tatlises në verionin shqip dhe me ritmikë, e solli këngëtari i njohur Blero, fiks para dy muajve. Në klipin që publikoi kishte imazhe nga më të ndryshmet, femra të zhveshura si në harem, të mbuluara, djem të cilët kërcejnë mbi para të hedhura në tokë, teksa këngëtari këndon së bashku me Cekic dhe Astrit Stafën, dy bashkëpunëtorë të kahershëm të tij. Pasi deklaroi se kjo këngë është e përpunuar nga hiti turk ‘’Lej im lej’’, Bleros i ka dalë një tjetër problem, këtë radhë me policinë. Në klipin ‘’Dance’’ shfaqet një sasi e konsiderueshme e parave në vlerë prej 17 milionë eurosh, për të cilat thuhet se janë false, prandaj ka ndërhyrë edhe policia duke i konfiskuar . Sipas këngëtarit, dikush ka dashur t’i bëjë keq, pasi ato para janë marrë dhe i janë dorëzuar policisë për t’i verifikuar se cili ishte burimi që i kishte prodhuar. Pas verifikimeve, policia ka censuruar klipin, pasi është parë në imazhe se aty janë përdorur sasi të konsiderueshme kartëmonedhash të falsifikuara, çka mund të nxisë publikun të joshet nga imazhet. Edhe pse Blero është justifikuar se klipe me imazhe të ngjashme me para false kanë bërë edhe artistët e tjerë, policia nuk ka dhënë shpjegime, thjesht ka censuruar pjesët pikante të klipit me imazh kartëmonedhat euro.











