Policia e liron, “Stresi” thirret tek Krimet e Rënda

Sep 2, 2011 | 9:38
Arkimed Lushaj (Stresi), duke dalë nga Gjykata e Krimeve të Rënda

Këngëtari i njohur Arkimed Lusha (Stresi) është lënë dje i lirë nga policia, ndërsa pak orë më vonë është paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në Tiranë.Rreth 24 orë pas arrestimit në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës, 25-vjeçari është lënë i lirë dje nga policia e Tiranës, ku u transferua dy ditë më parë pas ndalimit në Pogradec. Vendimi për lirimin e këngëtarit ka ardhur pasi policia sqaroi se urdhër-arresti ndaj “Stresit” ishte anuluar dhe nuk kishte arsye për ndalimin e tij. Pas ndalimit dy ditë më parë në Pogradec, këngëtari është transportuar në Tiranë nga policia e këtij qyteti. Më pas, në Drejtorinë e policisë së Tiranës janë sqaruar vendimet e dhëna nga gjykatat për Arkimed Lushën, shkalla e parë “detyrim paraqitjeje”, Apeli “arrest me burg” dhe në fund Gjykata e Lartë, e cila më 13 korrik ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, duke rrëzuar kështu vendimin e arrestit.
“Stresi” në Prokurori
I veshur në stilin e tij, “Stresi” është parë dje rreth mesditës duke dalë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë. Ai mësohet se ka pasur dje një komunikim me prokurorin e çështjes Ardian Nezha, i cili po drejton hetimet për akuzën e gjobëvënies dhe kanosjes së regjisorit Leonard Bombaj. Nga burime të Prokurorisë është mësuar dje se hetimet për këtë çështje janë drejt fundit të tyre, ndërkohë që prokuror i ka bërë të ditur dje Arkimed Lushës se duhet të paraqitet për të dhënë deklarime në lidhje me ngjarjen. Sipas burimeve nga Prokuroria, mësohet se organi i akuzës e ka njoftuar dje këngëtarin, se ditën e hënë duhet të paraqitet në prokurori për t’u marrë në pyetje në lidhje me kallëzimin që ka bërë regjisori Leonard Bombaj për shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie të pasurisë. Pas këtij veprimi, prokuroria deklaroi se mund ta dërgojë dosjen për shqyrtim në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë.
Arrestimi dhe akuzat
Këngëtari i muzikës rep, Arkimed Lusha, ka qenë duke udhëtuar drejt Maqedonisë tri ditë më parë, kur në pikën kufitare të Qafë- Thanës është ndaluar nga policia. Atij i është thënë se nuk lejohej të kalonte kufirin, ndërsa më pas policia e ka njoftuar se rezultonte person në kërkim. Këngëtari ka pasur durim deri në sqarimin e çështjes, ndërsa disa orë më vonë është mësuar se sistemi i të dhënave të policisë nuk kishte pasqyruar vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila më 13 korrik kishte vendosur anulimin e urdhër-arrestit ndaj Arkimed Lushës. Urdhër-arresti në fjalë ishte lëshuar në qershor nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në Tiranë, pas kërkesës së prokurorisë. Organi i akuzës dyshon se Arkimed Lusha dhe persona të tjerë, i kanë marrë 5 milionë lekë regjisorit Leonard Bombaj, të cilin e kanë kërcënuar që të dorëzonte edhe 20 mijë euro të tjera veç shumës së parë. Regjisori Leonard Bombaj ka pretenduar se është detyruar të tërheqë paratë nga banka dhe t’ua japë të akuzuarve në shumën 5 milionë lekë të vjetër, ndërsa i janë kërkuar edhe 20 mijë euro të tjera. Ndërkohë, Arkimed Lusha nuk i ka pranuar akuzat e bëra ndaj tij, por i ka faturuar regjisorit përdhunimin e një vajze 15-vjeçare, çka sipas tij ka qenë shkak i mosmarrëveshjes.

Përdhunimi i vajzës

Prokuroria është shprehur se nuk ka arritur të provojë se vajza 15-vjeçare, për të cilën u akuzua Leonard Bombaj, është përdhunuar. Ekspertiza ka treguar se ajo ka kryer marrëdhënie seksuale, ndonëse mjekët nuk kanë qenë në gjendje të sqarojnë kohën kur ka ndodhur kjo gjë. Sipas Prokurorisë, në materialet e dosjes nuk ka prova të mjaftueshme për përdhunim, ndërsa vajza për të cilën bëhen akuzat, sipas hetuesve ka qenë pjesë e Akademisë artistike që drejton Bombaj. Akuzat e rënda ndaj tij janë bërë pasi vajza është përjashtuar nga Akademia.

© Panorama.al

Te lidhura