TIRANË- Policia e Shtetit ka garantuar sërish sot angazhimin total për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe sigurimin e një mjedisi të qetë për votime të lira.
Gjatë një konference për mediat, zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit ka deklaruar gjithë masat e marra për rregullin, rendin publik të marrë paraprakisht dhe atë në vijim për sigurimin e vendeve të numërimit të votave, transportimin e materialeve dhe gjithë policët e anagzhuar, duke bërë me dije se fushata ka numëruar plot 63 incidente.
“Reagimi i strukturave të policisë ka qenë i menjëherëshëm, për gjithë masat e marra dhe sigurimin e transparencës. 3 incidente janë evidentuar para fillimit të fushatës dhe 60 gjatë fushatës. Të gjitha janë referuar në Prokurori, nga të cilat 44 incidente janë zbardhur, 19 pritet të zbardhen”- tha Muhamet Rrumbullaku.
Sipas numrit dy të policisë, 3 incidente janë me lëndë plasje, 1 plagosje e lehtë dhe 1 dëmtim mjeti, ndërkohë që të tjera kanë të bëjnë me dëmtime posterash, flamujsh dhe banderola.
“Deri tani për këto incidente janë 11 të ndaluar dhe 28 persona ndiqen në gjendje të lirë”- tha ai.
© Panorama.al











