Polici vret me thikë gruan për xhelozi

Nov 7, 2011 | 12:07

Vendi ku ndodhi vrasja

Një efektiv i policisë private vrau dje gruan e tij pranë mbikalimit të Kamzës në Tiranë. Dyshohet se shkak i krimit të rëndë në ditën e Kurban Bajramit kanë qenë mosmarrëveshjet në çift dhe xhelozia. Shtetasja Edlira Doçi, 27 vjeçe, u qëllua disa herë me thikë në prani të vajzës së saj vetëm 2 vjeçe. Autori i krimit, shtetasi Ismet Hysaj, 37 vjeç, pasi vrau të shoqen u largua nga vendi i ngjarjes, duke marrë me vete edhe vajzën 2 vjeçe. Krimi në familje ndodhi në afërsi të rrethrrotullimit të Doganës, në katin e parë të një vile, ku çifti jetonte me qira prej rreth 6 muajsh. Gruaja e vrarë, 27-vjeçarja Edlira Doçi, bashkëjetonte me shtetasin Ismet Hysaj, polic privat në një shoqëri të ruajtjes fizike, me të cilin nuk kishte bërë ende celebrim. I dyshuari bashkëjetonte me viktimën prej disa vitesh, pasi ishte divorcuar nga gruaja e parë, me të cilën ka edhe një djalë 12 vjeç. Burime nga Policia thanë se viktima e ngjarjes së djeshme punonte prej kohësh si kameriere në një lokal tek ish-Blloku. Dyshohet se puna që ajo bënte të ketë qenë sebep i grindjeve të vazhdueshme me bashkëshortin polic privat. Të njëjtat burime konfirmuan se kanë shpallur në kërkim autorin, i cili menjëherë pas ngjarjes është “arratisur” bashkë me vajzën 2 vjeçe. Forcat e rendit kanë shoqëruar për të marrë në pyetje disa prej fqinjëve të çiftit dhe të zotët e shtëpisë, ku protagonistët e ngjarjes jetonin me qira. Policia ka pyetur edhe disa të afërm dhe miq të çiftit në lidhje me konfliktet që ata kishin me njëri-tjetrin.
KRIMI NE FAMILJE
Rreth orës 13:00, kur po përgatiteshin për drekën e Bajramit, fqinjët e çiftit Hysaj kanë dëgjuar britmat e gruas që jetonte në katin e parë të vilës. Pasi kanë dalë për të parë se çfarë kishte ndodhur, kanë gjetur derën e hapur dhe trupin e përgjakur të 27-vjeçares Edlira Doçi, që ishte shtrirë në dysheme. Menjëherë dëshmitarët kanë lajmëruar në sallën operative të Policisë, pa e ditur nëse ajo ishte ende gjallë apo e vdekur. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e Policisë së Komisariatit Nr.6, si dhe oficerët e Krimeve të Rënda të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në momentin kur policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, nëna e re kishte ndërruar jetë dhe pasi është bërë këqyrja e vendit të krimit, trupi i pajetë i saj është transportuar në morgun e Tiranës. Ndërsa pasi janë pyetur dëshmitarët e parë të ngjarjes, policia ka mësuar se ngjarja është një krim në familje dhe vrasja ishte kryer nga bashkëshorti i viktimës. Nga të dhënat, policia është informuar se i dyshuari, Ismet Hysaj, ishte larguar në këmbë nga banesa, menjëherë pas ngjarjes, duke e marrë me vetë edhe vajzës e tij të mitur. Sipas të dhënave paraprake hetimore, nisur edhe nga deklarimet e të afërmve dhe miqve të çiftit, grupi hetimor dyshon se ngjarja ka ndodhur për motive xhelozie. Sipas burimeve, çifti kohët e fundit ka pasur grindje të vazhdueshme, për shkak të orarit të zgjatur të punës si kamariere, të viktimës. Mësohet se autori i kishte kërkuar të shoqes që ta linte, pasi ishte xheloz, por ajo nuk ka pranuar.

Dëshmitarët: I dyshuari iku në rrugën kryesore me vajzën
Policia, kërkime në Tropojë e Kamzë për autorin e krimit

TIRANE – Disa persona që ndodheshin në një lokal shumë pranë shtëpisë ku ndodhi ngjarja, kanë deklaruar në polici se kanë parë Ismet Hysajn duke u larguar në këmbë nga shtëpia, bashkë me vajzën e vogël që e mbante në krah. Ai ka dalë në këmbë deri në rrugën kryesore, më pas nuk e kanë parë më, por sipas tyre, edhe mund të jetë larguar me ndonjë automjet. Nisur nga disa informacione të mbledhura në rrugë operative nga policia, kishte të dhëna që i dyshuari si autor i ngjarjes, pas “arratisjes” bashkë me të bijën, është parë në Kodër Kamzë, pranë Institutit Bujqësor. Për këtë arsye, forca të shumta policie kanë kryer kontrolle  përreth Kodër Kamzës, kryesisht në disa shtëpi private, ku banojnë të afërmit e autorit. Fillimisht është provuar të negociohet me të nëpërmjet telefonit, të cilin më pas ai e ka fikur. Nga ana tjetër, Policia e kryeqytetit ka informuar edhe Policinë e Tropojës për ngjarjen, në mënyrë që edhe atje të ngrihen postblloqe, pasi ekziston mundësia që i dyshuari të udhëtojë drejt vendlindjes për t’iu fshehur policisë. Mësohet se të paktën deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, policia nuk ka mundur të zbulojë vendndodhjen dhe të arrestojë autorin.

Fqinjët: Polici grindej shpesh me të shoqen
Tiranë – Para se të ndodhte krimi në familje, mes shtetasve Ismet Hysa dhe Edlira Doçi, ka pasur një debat të ashpër, të shoqëruar me fyerje dhe kërcënime. Të gjitha këto janë dëgjuar nga fqinjët e çiftit, të cilët u shprehën dje se kanë dëgjuar edhe thirrjet e gruas që kërkonte ndihmë. “Dëgjuam që po ziheshin, por ditët e fundit këto zënka ishin bërë normale, pasi ata pothuajse çdo ditë debatonin me zë të lartë me njëri-tjetrin. Nuk e menduam se ai do e vriste, por dyshuam për diçka të rëndë, kur gruaja filloi të kërkonte ndihmë, ndërsa ai e shante dhe e kërcënonte”, u shprehën dje fqinjët e çiftit Hysaj. Ndërsa ata treguan gjithashtu që ndryshe nga çfarë ndodhte në banesën e tyre, jashtë saj, si burri ashtu edhe gruaja dukeshin njerëz të urtë dhe të respektueshëm. Të dy punonin dhe kujdeseshin për vajzën e mitur. “Pasi dëgjuam thirrjet për ndihmë të gruas, zbritëm në katin e parë të shihnin se çfarë po ndodhte. Ne sapo ishim ulur të hanim drekën e Bajramit. Kur zbritëm pamë që dera ishte e hapur dhe gruaja ishte e shtrirë në tokë e gjakosur. Menjëherë pasi pamë këtë skenë lajmëruam policinë. Mesa duket i shoqi ishte larguar menjëherë pas ngjarjes, pasi nuk ishte aty”, thonë dëshmitarët. Ndërsa pronarët e shtëpisë ku ata jetonin me qira, deklaruan se nuk kanë qenë në shtëpi në momentin e ngjarjes, por e kanë mësuar gjithçka nga televizionet. Sipas tyre, me çiftin kishin marrëdhënie korrekte që prej 6 muajsh, kur ata kishin nisur të jetonin me qira në katin e parë të vilës së tyre.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura