Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar me akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se vendi, sipas tij, “qeveriset nga kryetari i organizatës kriminale më të rrezikshme në Shqipëri, Ballkan dhe Europë”.
Nga foltorja në Krujë, Berisha u shpreh se Shqipëria ndodhet në një “udhëkryq të rrezikshëm”, ndërsa akuzoi mazhorancën për vjedhje të vazhdueshme dhe përpjekje për të mbrojtur veten përmes ndryshimeve ligjore.
Ai pretendoi se qeveria po tenton të paralizojë drejtësinë dhe se prej tre muajsh, sipas tij, mban shoqërinë shqiptare “peng”, duke folur për abuzime që, sipas deklaratës së tij, kapin vlerën mbi 1 miliard euro.
Berisha: Ky është Ergysi. Ne qeverisemi nga një njeri që është kryetari i organizatës kriminale më të rrezikshme në Shqipëri, në Ballkan dhe në Europë – dhe ky është Edi Rama. Jemi në një udhëkryq të rrezikshëm. Është bërë bajate kur ne rendisim vjedhjet e tyre, por nuk mund të heshtim. Ata vetëm vjedhin. Janë hajdutë. Tani që janë kapur, po bëjnë ligje mbrojtëse për të vazhduar vjedhjen, për veten dhe ministrat e tyre. Po përpiqen të paralizojnë drejtësinë si kurrë më parë. Këtu zhvillohet një propagandë shumë e keqe.
Prej tre muajsh e mbajnë shoqërinë shqiptare peng. Të kapur në flagrancë me vjedhje që, sipas tij, kalojnë mbi 1 miliard euro. “Nuk mund të pezullohet, nuk mund t’i hiqet imuniteti”, thonë. Sot shkonte e vajtonte, derdhte lot për Lindën e AKSHI-t. Linda e AKSHI-t që drejtonte një ndërmarrje që, sipas tij, merrte peng biznesmenë. A keni dëgjuar ndonjëherë për një ndërmarrje shtetërore që merr peng biznesmenë? Unë nuk kam dëgjuar në botë. I merrte Gysi, me urdhër të Ramës, sepse baxhanaku i tij duhej të fitonte çdo tender.
© Panorama.al












