Tentoi të kalonte kufirin, me municion luftarak dhe 4 armë të ftohta në automjet, vihet në pranga në Morinë 39-vjeçari kosovar.
Sekuestrohen sendet e paligjshme dhe automjeti i të dyshuarit, ndërsa po hetohet për një aktivitet të mundshëm kriminal më të zgjeruar.
Zbulimi u bë kur efektivët e Policisë Kufitare Kukës, bazuar në analizën e riskut, kanë kaluar për kontroll në vijë të dytë, në hyrje të Shqipërisë, automjetin me drejtues M. L.
“Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën 2 karikatorë me fishekë, 2 thika, 1 sëpatë dhe 1 shkop metalik si ai i Policisë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin”, bëri me dije policia.
Në përfundim të veprimeve për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve Kukës arrestuan në flagrancë kosovarin, për veprat penale “trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
© Panorama.al












