Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka kërkuar transparencë nga Ministria e Mbrojtjes lidhur me disa çështje që, sipas tij, prekin drejtpërdrejt interesin publik dhe sigurinë kombëtare.
Gjatë diskutimit për projektligjin mbi armët, Blushi iu referua denoncimeve të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, duke kërkuar sqarime mbi interesin e qeverisë për lidhjen e marrëveshjeve me kompaninë izraelite “Elbit System”, e cila, sipas tij, është pezulluar dhe vënë nën hetim nga NATO.
Deputeti ngriti dyshime se kjo kompani po përfiton prona të ushtrisë shqiptare, duke theksuar se deri më sot nuk ka pasur asnjë reagim publik nga Kryeministri apo Ministria e Mbrojtjes.
“Pronat e ushtrisë nuk janë as të ministrit dhe as të Kryeministrit, por pasuri publike që lidhen me sigurinë kombëtare”, deklaroi Blushi.
Tedi Blushi: Kam disa cështje për të cilat besoj se interesi publik është i shtuar, nisur dhe nga fakti që ish-krahu i djathtë i Edi Ramës, Z. Ahmetaj, ka bërë disa denoncime shumë serioze, në kuadër të denoncimeve të tij prej kohësh për aferat më monstruoze të kësaj qeverie dhe një prej tyre lidhet pikërisht me Ministrinë e Mbrojtjes.
Cështje dhe akuza për të cilat ende sot nuk ka asnjë sqarim publik, as nga Kryeministri dhe as nga Ministria e Mbrojtjes dhe meqë sot keni sjellë për shqyrtim një ligj për armët, unë do doja të dija nga Ministri i Mbrojtjes se kush ka qenë interesi i qeverisë për të lidhur Marrëveshje me Elbit System.
E bëj këtë pyetje për vet faktin se NATO, vend anëtar i të cilit ne jemi, e ka pezulluar këtë kompani dhe e ka vendosur nën hetim.
Një kompani, e cila sipas Z. Ahmetaj, po përfiton edhe pronat e ushtrisë shqiptare.
Ndaj, është momenti që ju Z. Ministër, të shpreheni për këtë cështje, e cila nuk mund të kalojë në heshtje, sepse pronat e ushtrisë nuk janë as tuajat, nuk janë as të Edi Ramës dhe kjo cështje, për sa kohë lidhet me sigurinë Kombëtare, meriton transparencë dhe llogaridhënie para Komisionit.
Doja të dija nga ju, a po i fal Edi Rama pronat e ushtrisë Ron Yeffect dhe sa prona ushtrie ka përfituar ky biznesmen izrealit deri në këtë moment që po flasim?
Një biznesmen, i cili është përfshirë kudo ku ka ushtruar aktivitetin e tij në skandale, nga Senegali e deri tek vendet anëtare të NATO-s.
Pra, a i keni falur prona të ushtrisë, të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë Ron Yeffect?
A keni marrëveshje me të, ju si Ministri dhe a është përfshirë ky si biznesmen në aktivitetet aktual për importin dhe eksportin e armëve?
Një tjetër cështje që doja të ngrija sot në këtë Komision, lidhet me përmbytjet.
Ka patur shumë denoncime, sa i përket faktit që Forcat e Armatosura janë lënë në mëshirë të fatit, pa patur mjetet e nevojshme për përballimin e kësaj situate, sidomos edhe në Qarkun e Korcës, ku vet punonjës, jo vetëm të Ministrisë tuaj, por edhe ushtarakë, kanë denoncuar faktin që mjetet me të cilat ju i keni dërguar në terren për të përballuar pasojat e përmbytjeve që në fakt u shkaktuan nga korrupsioni i Qeverisë që ju përfaqësoni në këtë Komision dhe jo për shkak të Zotit, janë lënë në mëshirë të fatit.
Cilat kanë qenë masat që ka marrë Ministria e Mbrojtjes në raport me situatën?
Ku janë sot, se nuk kemi më raportim, a ka sot forca në terren, të Ministrisë së Mbrojtjes, të Forcave të Armatosura për të ndihmuar qytetarët?
Sepse dhe pamjet që u transmetuan në media, kur e pretenduara Delta Forcë e ushtrisë shqiptare, përmbytej në kanalet e Qarkut të Durrësit, ishin të pahijshme, sidomos për një vend anëtar të Nato-s.
Dhe pyetja e fundit:
Kur Qeveria Shqiptare do të plotësojë atë kushtëzim, sa i përket financimit të ushtrisë, në ato kritere që kërkon NATO?
© Panorama.al












