“Po bëjmë fushatë me më pak tam-tame”, Shpëtim Idrizi: Etiketimet dhe zhargonet nuk janë serioze në politikë! Duhen debate ekspertësh

Apr 24, 2025 | 15:59

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi ishte i ftuar në News 24 ditën e sotme teksa foli për ecurinë e fushatës së 11 majit.

idrizi

Idrizi theksoi se fushata e tij, i cili renditet në listën e hapur të koalicionit të PD-së në Tiranë, është e qetë pa tam-tame, por me takime intensive me njerëzit.

“Jam përqendruar në qarkun e Tiranës, që e njoh shumë mirë. Jemi shtrirë në gjithë qarkun e Tiranës. Është një qark ku kam punuar dhe kam bërë fushatë në mënyrë direkte. PDIU e ka bastionin e vet. Zgjedhjet janë të pazakontë me një kod zgjedhor dhe një dakordësi mes dy partive të mëdha. Mazhoranca e ngarkuar me pushtet ka mundësi të jetë solide. Por janë beteja politike për t’u bërë. Fakti që është mobilizim më i madh kur kryetari i partisë është në listë të hapur, është reflektuar në Tiranë dhe në qarqe të tjera. Besoj se do ketë rezultat shumë të mirë, me pritshmëritë tona. Kemi bërë një fushatë ndryshe, me më pak tam tame, por me më shumë lëvizje në terren. Duke takuar dhe folur seriozisht me njerëzit.

Më tej, Idrizi vlerësoi programin ekonomik të koalicionit ku bën e cila vë theksin te prodhimi vendas.

“Kthimi drejt prodhimit vendas do krijonte dhe mundësinë që njerëzit të punësoheshin. Kam qenë për një taksim uniform dhe neutral. Duhet një sistem fiskal neutral, duhet një shpërndarje më e mirë. Një parti e mirë nuk mund të taksojë më shumë punën se kapitalin. Kemi nevojë për një shpërndarje tjetër të të ardhurave. Ekonomia nuk mund të mbahet me remitanca, por edhe me importin. Ka informalitet por edhe evazion. 50-60 kompanitë më të madhe, pjesa më e madhe janë shitje me shumicë, shitje me pakicë, ndërtim, koncesione.”

Sakaq, Idrizi foli dhe për diasporën dhe mundësitë që i duhen krijuar atyre.

“Gjëja që më shqetëson, 48% e shqiptarëve jetojnë jashtë Shqipërisë. Janë ato që kontribuojnë në ekonominë tonë. Padrejtësitë historike i kanë ndarë shqiptarët në 5 shtete. Ja u kemi marrë 1 mld euro dhe tani i kërkojmë votën. Kemi nevojë për një qasje ndryshe. Kemi që në 2012 që kemi propozuar për komitetin e diasporës. Kemi propozuar ministrinë e diasporës. Nuk do ta shohim si shpresë dhe oportunitet. Nuk ka asnjë program të dedikuar për ta. Kanë probleme të gjuhës shqipe.”

Sa i përket gjuhës së fushatës nga liderët politikë, Idrizi vlerëson se ato nuk janë serioze pasi politika është e tillë. Sipas tij duhen debate mes ekspertëve të majtë dhe të djathtë mbi ekonominë apo drejtësinë.

“Këto etiketime, zhargone nuk janë serioze. Politika është serioze. Që të mos bëjmë debate reale për çështje reale. Pensionet, 200 euro njëri, 300 tjetri. Po dal unë them 1000 euro. Kjo nuk bëhet kështu. Duhet të dalin ekspertët e opozitës dhe mazhorancës dhe të debatojnë. Të debatojnë për drejtësinë, shumë mirë e kemi SPAK. Por nga krahu tjetër duhet të merakosemi, a kanë marrë drejtësi 50 mijë dosjet që flenë? Janë çështje civile, janë çështje prone. Drejtësia a është bërë produktive? Zgjedhjet janë momenti më serioz, janë qytetarët që kanë skeptrin në dorë.”

© Panorama.al

Te lidhura