“Po analizohet pse s’u kërkuan forcat RENEA, ka nisur procedim disiplinor”- Vrasja e policit, Hita nga Korça: Në aksion 40 forca me jelek antiplumb, por Kallashnikovi e depërtoi!

Jun 4, 2026 | 16:25

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita dhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, dhanë një konferencë për mediat sot pasdite nga Korça (4 qershor) duke dhënë detajet e para nga hetimet e kryera për ngjarjen e rëndë në Lozhan të Maliqit, ku i dyshuari Violand Braçellari qëlloi për vdekje gjatë aksionit efektivin Enea Mekolli dhe plagosi Edison Adrin, para se të plagosej edhe vetë.

hita e lamallari

Hita shpjegoi se Drejtoria e Policisë Korçë e kishte vlerësuar vetë informacionin për të shumëkërkuarin Braçellari dhe nuk kishte kërkuar forca shtesë, teksa në aksion morën pjesë sipas tij, 40 forca të pajisura edhe me mjetet e nevojshme, përfshi antiplumb.

Por ai tha se arma “Kallashnikov” e përdorur nga autori e ka depërtuar antiplumbin për fat të keq. Kryepolici konfirmoi edhe procedurat e vlerësimit me titullin “Dëshmor i Atdheut” për efektivin Mekolli, teksa po vijojnë hetimet për procedimin disiplinor, paralelisht me atë të Prokurorisë.

“Ishin organizuar disa operacione nga policia e Korçës, përfshi edhe forcat speciale por nuk ishte bërë e mundur kapja e tij. Kam urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për të verifikuar punën e kryer nga policia e Korçës dhe pse nuk është kërkuar mbështetje operacionale nga qendra. I përcjell ngushëllimet familjes së efektivit Enea Mekollari. Akti i tij përbën aktin më të lartë të një efektivi policie. Asnjë ngjarje nuk do e përkulë kurrë Policinë e Shtetit”, tha Hita mes të tjerash.

I pyetur nga gazetarët për planin operacional ai shpjegoi se efektivët janë të gjithë të trajnuar:

“Operacioni është zhvilluar nga Policia e Korçës dhe masat i përkasin asaj, po të ishin kërkuar masa shtesë patjetër që do ishin marrë këto masa shtesë. Punonjësit e policisë janë të gjithë të trajtuar dhe të shkolluar. Edhe në këtë rast kanë qenë shërbimet e specializuara që janë Shqiponjat por edhe shërbimet e tjera që ka drejtoria, këto kanë qenë strukturat në operacion. Kanë qenë 40 forca policie në operacion, të gjithë kushtet mbrojtëse, me jelek antiplumb, por arma e përdorur nga autori ka qenë Kallashnikov, duke e çarë antiplumbin. Informacionin e ka disponuar vetë drejtoria e Korçës e cila ka vlerësuar dhe bërë vetë planin operacional”.

Më tej Hita iu përgjigj edhe pyetjes për masat e marra nga Drejtoria e Përgjithshme për rastin dhe për procedurat e shpalljes dëshmor të Enea Mekollit.

“Ka filluar hetimi disiplinor, njëkohësisht edhe ato të prokurorisë dhe më tej do të vendoset. Po ndjekim procedurat për statusin e dëshmorit të policisë, sepse tashmë ai është dëshmor i policisë, pra për të ndjekur të gjitha procedurat për t’i gjendur afër edhe familjarëve të tij”, përfundoi Hita.

Kryepolici shpjegoi edhe se nuk kishte pasur dijeni për aksionin:

“Nga sulmi me armë mbeti i vrarë një polic shembullor dhe një tjetër u plagos. Kam urdhëruar Drejtorinë e Standardeve për të hetuar procedurën dhe pse Drejtoria e Korçës nuk ka kërkuar ndihmë nga RENEA. Nuk kam pasur dijeni për operacionin”.

Ndërsa i pyetur nga gazetarët lidhur me personat e tjerë në kërkim të rrezikshëm në juglindje, ai paralajmëroi dhe siguroi se “do të marrin një përgjigje të fortë nga Policia e Shtetit”.

Kurse ministri Lamallari, ndërsa shprehu ngushëllimet për familjarët e policit të rënë në krye të detyrës, duke shtuar se institucioni dhe shteti janë në mbështetje të tyre, si dhe policit të plagosur, Edison Adri.

“Ngushëlloj familjen dhe kolegët në këto momente të vështira. Vizitova kolegun e plagosur. Jemi pranë familjarëve për t’u shprehur mbështetje”, tha ai mes të tjerash.

Fjala e plotë e Drejtorit të Përgjithshëm, Skënder Hita:

“Sot ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë në Malin Bode, në Maliq, ku gjatë një operacioni policor, humbi jetën, në krye të detyrës, një punonjës policie dhe mbeti i plagosur një punonjës tjetër policie, nga sulmi me armë i një shtetasi të kërkuar, me rrezikshmëri shoqërore.

Jam këtu për të ndarë dhimbjen me familjarët e punonjësit shembullor, Enea Mekolli, i cili heroikisht, humbi jetën, dhe për t’i shprehur familjes së Inspektor Edison Adrit, që mbeti i plagosur gjatë operacionit, mbështetjen time dhe të Policisë së Shtetit. Gjithashtu, për t’i uruar Inspektorit, shërim sa më të shpejtë.

Mëngjesin e sotëm, Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë, kanë shkuar në zonën e Lozhanit, në Malin Bode, Bashkia Maliq, për kapjen e këtij shtetasi.

Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar stanin ku dyshohej se fshihej shtetasi në kërkim, konkretisht Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011, i është caktuar  masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit, të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë, dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë. Si pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, Inspektor Enea Mekolli, 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur, punonjësi i Policisë, Inspektor Edison Adri, 36 vjeç, të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë.

Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.

Për kapjen e shtetasit Violand Braçellari, gjatë viteve të fundit, ishin organizuar disa operacione policore, nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, me përfshirjen dhe të forcave speciale, por nuk kishin mundur të realizonin kapjen e tij.

Në lidhje me këtë ngjarje shumë të rëndë, kam urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të nisur një hetim mbi zbatimin e procedurave standarde të punës për kapjen e shtetasit në kërkim, dhe pse Drejtoria Vendore e Policisë Korçë nuk ka kërkuar ndihmë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të vënë në dispozicion Forcat Kombëtare të Sigurisë ose Repartin Special RENEA për të mundësuar kapjen e këtij personi.

Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë, ku humbi jetën, në krye të detyrës, një punonjës policie, dhe mbeti i plagosur një tjetër punonjës policie.

I shpreh ngushëllimet më të sinqerta, familjes së kolegut tonë Enea Mekolli, dhe i uroj shërim sa më të shpejtë, kolegut Edison Adri.

Akti heroik i sotëm përbën motivimin më të lartë për punonjësit e Policisë, për ta vijuar të palëkundur misionin e tyre, si dhe përbën apelin më të fortë për qytetarët për t’i mbështetur dhe vlerësuar më shumë punonjësit e Policisë, sepse janë ata që për sigurinë e qytetareve, janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka, edhe më të shtrenjtën dhe më sublimen, jetën, ndërsa për ata që guxojnë të sulmojë punonjësit e Policisë, mesazhi i vetëm është përgjigjja e merituar sipas ligjit.

I garantoj qytetarët, se asnjë ngjarje, sado e rëndë dhe me pasoja, qoftë dhe për jetën e pjesëtarëve të radhëve tona, nuk do ta përkulë kurrë uniformën e Policisë së Shtetit, para krimit.

Gjaku i Eneas, gjaku i Dëshmorëve të Policisë, nuk do të harrohet kurrë. Faleminderit!”.

© Panorama.al

Te lidhura