Plumba mbi policët, gjykata e dënon me 17 vjet burg

Feb 26, 2011 | 11:04

TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda dënoi dje me 17 vjet burg një 35-vjeçar, që në 22 shtator 2010 qëlloi me armë mbi policët që do ta arrestonin. Dedë Prozhmi u deklarua fajtor për akuzat e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese ndaj policit”, mbetur në tentative, “vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave”, mbetur në tentativë dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe të municionit”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai u dënua përfundimisht me 11 vjet e 4 muaj heqje lirie. Ngjarja për të cilën u deklarua fajtor i pandehuri Prozhmi është shënuar në lagjen “Markonaj”, të fshatit Kir, në komunën Pult, Shkodër. Sipas Prokurorisë, i pandehuri kishte qëlluar me armë zjarri drejt dy personave F.L. dhe P.D. Në këtë kohë, ata po kujdeseshin për zgjojet e bletëve në pronësi të tyre, të vendosur pranë banesës së Prozhmit. Të lajmëruar për këtë ngjarje në zonë kanë shkuar forcat e policisë. Por, sipas akuzës, ato kanë hasur në rezistencë të armatosur të Prozhmit.                       ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura