
Flamurtari fiton në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Skë-nderbeut 1-0, por më pas dhuna ka pushtuar gjithë stadiumin, aq sa korçarët janë larguar me furgonë policie. Me qindra tifozë të irrituar mbuluan tapetin e blertë me gurë dhe sende të tjera, teksa dëmtuan edhe lojtarin e Skënderbeut, Butrint Vishaj. Korçarët përjetuan orë tmerri në dhomat e zhveshjes dhe u larguan nga stadiumi vetëm pas rreth 85 minutash të ngujuar. U përdorën furgonat e policisë që të bëhej e mundur dalja e sigurtë e lojtarëve miq. Tifozët vlonjat, tepër të irrituar, pushtuan sheshin para stadiumit, duke bllokuar rrugën.
Tensioni – Që do të ndodhte një ngjarje e tillë u pa që në fillim të ndeshjes. Pas zbritjes nga autobusit, futbollistët e Skënderbeut në çdo moment më pas janë shoqëruar më sharje. Tifozët kanë ofenduar në kor edhe kreun e FSHF-së, e gjithashtu atë të Skënderbeut. Por kjo ishte vetëm si për fillim. Pasi kanë konsumuar të gjitha sendet vetjake, si çakmak, bidona me ujë dhe gurë, tifozët kanë nisur të hedhin në fushë ndenjëset plastike. Futbollistët e të dyja ekipeve, së bashku me gjyqtarët, kanë ngelur në fushë, pasi kalimi për në dhomat e zhveshjes ka qenë i pamundur. Stolat e tribunës kryesore janë shkulur nga shkallët dhe fluturonin nëpër kokat e policëve, si dhe pankinave të të dyja ekipeve. Mesfushori i Skënderbeut, Vishaj, është goditur në kokë në momentin e futjes në tunel. Lojtarët miq, pasi kanë qëndruar 20 minuta në mes të fushës, janë shoqëruar për në dhomat e zhveshjes me forcat e ndërhyrjes së shpejtë, të mbrojtur nga skafandrat.
Revolta – Pasi kanë dalë nga stadiumi, tifozët e Flamurtarit kanë bllokuar rrugën. Policia e Vlorës, e shoqëruar nga FNSH-ja e Fierit ka bërë një barrikadë, ku nuk lejonte tifozët ti afroheshin hyrjes së stadiumit. Kjo situatë ka zgjatur për një orë. Ndërkohë, autobusi, i cili solli dhe futbollistët e Skënderbeut është larguar nga sheshi përpara stadiumit, me frikën se do t’i thyheshin xhamat. Tifozët e irrituar bllokuan jo vetëm daljen e stadiumit, por edhe bulevardin Vlorë-Skelë. Të acaruar ata kanë shkuar pas stadiumit, pasi morën një sinjal, se futbollistët do të dilnin nga një vend tjetër. Por, pasi policia e Vlorës largoi turmën e tifozëve nga sheshi përpara stadiumit, lojtarët korçarë janë shoqëruar jashtë qytetit të Vlorës me furgonat e FNSH-së.
Shpëtim Duro: Skandaloze, dhunë e pashembullt!
Trajneri i Skënderbeut nuk ka dashur të komentojë gjatë për atë që ndodhi në Vlorë pas takimit, por në pak fjalë ka thënë që gjithçka që ndodhi ishte skandaloze dhe e paimagjinueshme. “Ne jemi profesionistë dhe njerëz të sportit, ndaj sot (dje erdhëm në Vlorë për të luajtur një ndeshje futbolli. Por kjo që ngjau nuk ka lidhje me futbollin. Është skandaloze, pasi jemi nën një terror të pashembullt. Një lojtar yni është gjuajtur me gurë dhe është në spital, ndërsa ne jemi ende në stadium. Nuk di ç’të them, por një gjë është e sigurt, që nuk e kishim imagjinuar që vlonjatët do të na prisnin në këtë mënyrë. Kjo nuk u shërben as atyre dhe as futbollit shqiptar. Pikërisht nga frika e dhunës gjatë pjesës së dytë, i udhëzova lojtarët që të kishin kujdes dhe të mos luanin fort duke toleruar disi ndeshjen. Nuk na interesonte rezultati më shumë sesa jeta jonë”, – ka deklaruar trajneri Shpëtim Duro, direkt nga stadiumi i Vlorës.
Shkëmbi: Pamë terror me sy në Vlorë
Kapiteni i Skënderbeut ka pritur për më shumë se tri orë në dhomat e zhveshjes pas gurëve e sendeve të forta që hidheshin në drejtim të lojtarëve korçarë nga tifozët vlonjatë. Këtë ka konfirmuar pak a shumë vetë Shkëmbi në një prononcim direkt nga dhomat e zhveshjes për “Panorama”. “Kjo që ka ndodhur këtu është një ngjarje e rëndë, që i ul imazhin futbollit shqiptar. Përjetuam momente shumë të vështira në të gjitha aspektet, si para dhe pas përfundimit të këtij takimi. Vetëm pas 30 minutash terror psikologjik, por dhe gjuajtje me gurë e sende të forta, kemi mundur të hyjnë në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes. Di vetëm që jashtë dhomave vazhdojnë thirrjet kundër Skënderbeut, teksa një lojtar i ekipit është dëmtuar në kokë. Kjo situatë është e paprecedent”, – ka pohuar kapiteni i Skënderbeut direkt nga stadiumi i Vlorës. Kapiteni ishte i shqetësuar për gjendjen, që nuk e ka menduar se do të ishte e tillë, për më tepër që kjo ndeshje e fundit duhet të ishte ajo që prisnin të gjithë shqiptarët mes kampionëve dhe nën kampionëve të këtij sezoni.
Vishaj: Rrezikova jetën, më gjuajtën me tullë
Butrint Vishaj nuk kishte parë më keq se kaq në karrierën e tij. Kishte parë tifozëri ekstremiste, ndërhyrje nga më të dhunshmet në fushë, humbje nga më të çuditshmet, por kurrë nuk e kishte parashikuar se mund të goditej me një tullë pas koke duke ndenjur në stol. Mesfushori me tipare sulmuese i Skënderbeut ka rrezikuar shumë dje në stadiumin e Flamurtarit, dhe i është dashur, ende pa përfunduar mirë ndeshja, të nisej me urgjencë në spital, ku mjekët i kanë bërë tri të qepura. “Tani jam mirë, por në fillim u tremba të them të drejtën. Kujtoja se isha i mbrojtur aty në pankinë, duke menduar se pjesa plastike nuk do t’i lejonte gurët të depërtonin, por, me sa duket, tulla që më goditi mua ishte shumë e rëndë dhe e theu pjesën plastike”, rrëfen ai. Kanë qenë minutat e fundit të ndeshjes dhe Vishaj, ashtu si pjesa tjetër e skuadrës korçare, po priste të mbaronte takimi i tensionuar mes Skënderbeut dhe Flamurtarit. Në një moment, tifozët fillojnë të hedhin sende të forta në drejtim të pankinës korçare dhe lojtarët përpiqen që të struken mirë brenda mburojës së stolit të miqve. Megjithatë, një gur i rëndë i hedhur nga pankina (Vishaj dyshon se mund të ishte tullë) ka thyer mburojën dhe ka goditur futbollistin në kokë. “Në fillim kujtova se diçka u shemb, por pastaj ndjeva dhimbje në kokë. Vura dorën dhe pashë se isha çarë. Të them të drejtën, nuk është ndonjë gjë e madhe, por ama në fillim u tremba pak. Nuk po u besoja syve se si ndodhi. Megjithatë, mjekët më siguruan se nuk ishte ndonjë gjë serioze dhe për fat të mirë ia hodha me tri të qepura”, tregon Vishaj.
Skënderbeu një kampion, por pa trofe
Si asnjëherë tjetër, trofeu i kampionit për Skënderbeun nuk është dorëzuar në Vlorë në ndeshjen e fundit, duke shtuar anomalitë e këtij kampionati shumë të diskutueshëm. Të vetmin trofe simbolik të përgatitur nga vetë ata, e kanë
ngritur vlonjatët, të cilët pretendojnë se janë ata kampionët e vërtetë të Shqipërisë. Asnjë prej drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit nuk ka udhëtuar dje drejt Vlorës. Madje, aq shumë ishin frikësuar drejtuesit e FSHF-së, saqë edhe Kupën e ekipit kampion, Skënderbeut, nuk ia dorëzuan dje pas përfundimit të 90 minutave, sikundër ka ndodhur thuajse në të gjitha sezonet e tjera në historinë e futbollit shqiptar, por do të shkojnë sot në Korçë që të bëjnë një ceremoni tallëse për futbollin shqiptar.
Flamurtari, kampion moral, merr edhe Kupën simbolike
Lojtarët e Flamurtarit në përfundim të ndeshjes së djeshme me Skënderbeun, të fituar me rezultatin 1-0 nga kuqezinjtë, kanë ngritur edhe një Kupë, duke përshëndetur kështu tifozët, të cilët i mbështetën, edhe pse kishte reshje të dendura shiu. Nuk ishte Kupa e ekipit kampion, por një Kupë tjetër e sajuar, me të cilën vlonjatët kanë dashur të tregojnë se ishin ata realisht fituesit moralë të këtij kampionati. Kujtojmë se vlonjatët kryesuan për shumë javë me radhë Kategorinë Superiore, madje duke treguar një supermaci përkundrejt skuadrave të tjera, përfshi këtu edhe Skënderbeun. Por, pas ndeshjes me Teutën në Durrës (1-1), në fazën e tretë, gjërat shkuan ters për kuqezinjtë e Maganit, pasi ata humbën kryesimin me humbjen në Peqin dhe incidentet në fushën e Laçit. Ndërsa, “dorëzimi”, edhe matematikor i çështjes së titullit erdhi pas vendimit të Disiplinës dhe bojkotit me Vllazninë, në javën e parafundit të sezonit.
Verdiktet e kampionatit
Kategoria Superiore
Skënderbeu – Kampion
Flamurtari, Vllaznia, Tirana ose Dinamo – Liga e Europës
Kategoria e Parë
Pogradeci – Kampion
Pogradeci, Tomori, Kamza, Apolonia – Direkt në Superiore
Kategoria e Dytë
Kukësi, Iliria (A), Butrinti, Himara (B) – Direkt në Kategori të Parë
Ndeshjet – 26/27 maj
Play-off për Superiore
Besëlidhja-Dinamo
Shkumbini-Mamurrasi
Play-off për Kategori 1
Tërbuni-Skrapari
Prrenjasi-Gramshi
“Këpuca e Artë”
Daniel Xhafaj është fituesi i çmimit “Këpuca e Artë”, që i jepet golashënuesit më të mirë të kampionatit. Sulmuesi vlonjat shënoi 18 gola gjatë këtij sezoni, po aq sa edhe sezonin e kaluar, duke lënë pas Pejiçin (Tirana), me 14 gola, si dhe Vilën (Dinamo), Pepën (Teuta) dhe Sozën (Skënderbeu), me nga 13 gola secili.
Renditja
Nr. Ekipi ND F B H GSH GP P
1. Skënderbeu 33 23 4 6 52 23 73
2. Flamurtari 33 22 3 8 62 27 69
3. Vllaznia 33 17 8 8 41 27 59
4. Laçi 33 14 5 14 44 44 47
5. Tirana 33 11 11 11 42 31 44
6. Bylisi 33 13 4 16 44 48 43
7. Teuta 33 11 9 13 38 40 42
8. Kastrioti 33 11 9 13 40 47 42
9. Shkumbini 33 12 6 15 43 54 42
10. Dinamo 33 10 9 14 46 50 39
11. Besa 33 10 9 14 35 47 39
12. Elbasani 33 4 3 26 30 79 12
Shënim: Elbasani, minus 3 pikë në renditje, i dënuar nga FIFA për shkak të çështjes “Darko Periç”. Flamurtari, 3 pikë minus për braktisjen e ndeshjes me Vllazninë në javën 32-të.
Leonard Karaj
© Panorama.al











