
Besnik Dabulla, djali i deputetes socialiste Arta Dade, rrezikon të dënohet me 8 muaj burg për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”.Dabulla u vu nën akuzë, pas një ngjarjeje të shënuar në 5 janar 2011, sepse u përfshi në një incident ku u plagos me armë zjarri Edrin Lufi, nipi i ish-kryeministrit Adil Çarçani. Prokuroria e kryeqytetit paraqiti dje para gjykatës së Tiranës konkluzionet përfundimtare të dosjes penale me të pandehur Besnik Dabullën, duke kërkuar deklarimin “fajtor” të tij. Burime të Gjykatës së Tiranës konfirmuan dje se masa e dënimit e kërkuar nga prokuroria ishte ajo e 12 muajve burg. Por, për shkak të gjykimit me kohë të shkurtuar, në bazë të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, masa përfundimtare e dënimit e kërkuar nga prokuroria ishte 8 muaj burg. Në seancën e radhës, gjykata do të njihet me konkluzionet përfundimtare të palës mbrojtëse. Ngjarja pas së cilës Dabulla u mor i pandehur, ndodhi në ambientet e restorant “Liburnia”, në rrugën “Perlat Rexhepi”, pranë Fakultetit Juridik në Tiranë. Ai ishte duke ndenjur në të njëjtën tavolinë me Edrin Lufin, kur një e shtënë arme zjarri i shkaktoi këtij të fundit një plagë të lehtë në zonën e barkut. Pak ditë më pas, gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj Dabullës. Në këtë seancë, avokati i Dabullës paraqiti një deklaratë noteriale të Edrin Lufit. Në këtë deklaratë, Lufi shfajësonte Dabullën për plagosjen e tij, duke pohuar se arma ishte shkrehur teksa ata po bënin shaka.
Gjykata
Në vendimin e Gjykatës për caktimin e masës së sigurisë ndaj Dabullës më 8 janar 2011, thuhej se Besnik Dabulla kishte plagosur Edrin Lufin nga pakujdesia në pjesën e barkut. “Pas orës 16:00, të tre personat së bashku kanë shkuar tek restorant ‘Liburnia’ që ndodhet në rrugën ‘Perlat Rexhepi’ dhe administrohet nga Besnik Dabulla. Gjatë kohës që po vazhdonin të pinin në këtë lokal, shtetasi Besnik Dabulla, i cili kishte një pistoletë në dorë, e ka plagosur atë një herë nga pakujdesia në pjesën e barkut”, thuhej
në vendimin e gjykatës.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











