
MIRDITE – Nënë e bijë, të cilat u plagosën me thikë pas një sherri familjar në Rubik, kanë dalë nga rreziku për jetën. Diana Buraku dhe vajza e saj 17 vjeçe, E.Buraku, ndodhen të shtruara në spitalin e Rrëshenit, ndërsa kryefamiljari Ilirjan Buraku, i cili ishte në proces divorci me të shoqen, pritet të dalë sot në Gjykatë për masën e sigurisë. Ai ka këmbëngulur në polici se kishte shkuar të pajtohej me gruan, por situata i kishte dalë jashtë kontrollit, kur ajo kishte tentuar të sinjalizonte Policinë. 45-vjeçari, me vendim gjykate nuk duhej t’i afrohej asaj më shumë se 50 metra, ndaj thyerja e këtij vendimi duket se e ka trembur, duke nxjerrë edhe thikën për të kanosur të shoqen. “Hyra në banesë me mendimin se do të gjeja një marrëveshje me gruan. Por pasi nuk ma hapi derën, e shkallmova atë. Sapo hyra brenda, ajo reagoi duke tentuar të telefononte Policinë. Kjo më irritoi, pasi më kishte marrë malli për fëmijët e mi. Por edhe për faktin që nuk e doja divorcin, pasi e dua bashkëshorten time. Pas përplasjes me të, desha ta kërcënoja me thikë që të mos lajmëronte Policinë, pasi ajo ka urdhër-mbrojtjeje nga Gjykata, si dhe të hiqte dorë nga divorci. Por ajo nuk pyeti. Pas përplasjes fizike, e qëllova një herë me thikë. Vajza hyri për të na ndarë dhe pa dashje plagosa edhe atë. Nuk kisha qëllim të qëlloja asnjërën, por nuk e kontrollova dot veten. Kisha kohë që vuaja ndarjen nga fëmijët e mi, kjo ishte e papranueshme për mua”. Kështu ka deklaruar dje në polici 45-vjeçari i akuzuar për plagosjen e gruas dhe vajzës së tij. r.n











