Një plagosje e dyfishtë me thikë është shënuar këtë të shtunë në Lezhë. Ngjarja mësohet se është shënuar në një berberhane në ishull Lezhë dhe të plagosur kanë mbetur një 24-vjeçar dhe një 35-vjeçar, nip e dajë.

Policia ka arrestuar autorin 40-vjeçar ndërsa ka bërë me dije edhe dinamikën e ngjarjes. Në fillim 40-vjeçari me inicialet D. K, është konfliktuar me pronarin e berberhanes, shtetasin R. Sh., 24 vjeç. Në konflikt është përfshirë edhe daja i 24-vjeçarit, B. D., 35 vjeç si edhe një klient 52-vjeçar.
Për pasojë 40-vjeçari plagosi me thikë nipin dhe dajën, të cilët kanë marrë dëmtime në pjesën e dorës. Ata janë dërguar në spitalin e Lezhës, ku pasi kanë marrë ndihmën mjekësore, kanë bërë kallëzim në polici.
Njoftimi i policise:
Lezhë/Plagosi lehtë në dorë me mjet prerës dy shtetas gjatë një konflikti për motive të dobëta, kapet dhe shoqërohet në Komisariat autori i dyshuar.
Në ishull-Lezhë, në ambientet e një berberhane, shtetasi D. K., 40 vjeç, është konfliktuar me pronarin e objektit, shtetasin R. Sh., 24 vjeç.
Gjatë konfliktit janë përfshirë edhe shtetasi B. D., 35 vjeç (daja i pronarit), si dhe shtetasi A. Z., 52 vjeç, i cili ka qenë klient në momentin e ngjarjes.
Shtetasi D. K. ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasit R. Sh. dhe A. Z., të cilët kanë marrë dëmtime në pjesën e dorës, ndërsa shtetasi B. D. nuk ka pësuar dëmtime.
Të dëmtuarit janë transportuar në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku kanë marrë ndihmën mjekësore dhe më pas janë paraqitur në Komisariat për të bërë kallëzim lidhur me rastin.
Autori i dyshuar, shtetasi D. K., është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Gjithashtu, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjeti prerës (thika).
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
© Panorama.al











