Tre të rinj janë arrestuar në dy ndërhyrje të ndryshme të Policisë së Sarandës, të akuzuar për plaçkitje në seri të banesave dhe bizneseve në fshatra e lagje të qytetit.
Nga hetimet rezulton se të dyshuarit nuk kursenin as kabuj, orendi dhe vegla pune, që mendohet se më pas i shisnin në tregun e zi, si dhe shuma parash. Një prej të dyshuarve u kap edhe me hashash, kurse një tjetër akuzohet për 4 vjedhje brenda vitit
I pari u ndalua M. Sh., 23 vjeç, banues në fshatin Çukë, si autor i dyshuar i disa vjedhjeve të ndodhura në këtë zonë.
“Nga hetimet ka rezultuar se më datë 17 tetor 2025, në fshatin Çukë, ka vjedhur në banesën e një personi disa orendi shtëpiake. Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se është autor i dyshuar edhe i disa rasteve të tjera vjedhjeje të ndodhura më herët, konkretisht: Më datë 24 mars, në fshatin Berdenesh, Sarandë, ka vjedhur disa kabuj elektrikë në një magazinë, më datë 11 qershor ka vjedhur disa vegla pune, me vlerë rreth 50 000 lekë dhe më 24 gusht, në dhomën e një hoteli në Ksamil, dyshohet se ka vjedhur një shumë prej 50 000 lekësh”, thanë burime zyrtare.
Dy të arrestuarit e tjerë janë A. S., 19 vjeç, dhe M. R., 24 vjeç, banues në Sarandë, pasi janë kapur duke vjedhur pompën e ujit në lokalin e një banori, në lagjen nr. 1, Sarandë.
“Gjatë kontrollit personal, shtetasit A. S. iu gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, tha policia vendore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
© Panorama.al












