Pirro Çako, pas vargjeve për Invën, tani shkruan vargje për veten

May 7, 2011 | 13:33

Pas suksesit me vargjet që gjithmonë i referohen dikujt, kantautori i njohur Pirro Çako ka vendosur që në këtë moment t’i dedikojë disa vargje jetës së tij, pra të shkruajë disa vargje për veten. Pauzën e këtyre kohëve në muzikë ai e po e shfrytëzon për të shkruar muzikën e një kënge speciale, që po ia kushton vetvetes. Nuk dihet asgjë më shumë nëse kjo këngë do të ketë nota trishtimi apo lumturie, nëse do të jetë baladë apo ritmike, pasi ai ka preferuar ta mbajë disi sekret historinë e krijimit të tij më të ri. Jemi kureshtarë ta dëgjojmë këngën e tij të re, ndërkohë që vitet e fundit kanë qenë vite suksesi për Pirron me shumë krijime për vete dhe artistët e tjerë dhe mjaft çmime të fituara. Shumë prej këngëve ia ka dedikuar një personi të veçantë në jetën e tij. Veçojmë këtu “Sa e shite zemrën”, fituese e festivalit të fundit “Kënga Magjike”, kënduar nga Juliana Pasha dhe Luiz Ejlli, për të cilën u fol se i dedikohej ish-bashkëshortes, sopranos Inva Mula. Para kësaj kënge, ai kishte shkruar një tjetër këngë për Invën me titull “Zemër e pakurdisur”, kënduar një vit më parë po në festivalin “Kënga Magjike” nga Soni Malaj. Gjithashtu kënga “Anjushka” ishte një dedikim për ish-të dashurën e tij në Tiranë, vajzën me emrin Anjeza. Përveç dedikimeve nga jeta e tij private, ai ka shkruar dhe dedikime që të tjerë këngëtarë ua kushtonin njerëzve të tyre të afërt, siç ka qenë rasti i Kastro Zizos kushtuar ish-bashkëshortes, apo Rezarta Shkurta kushtuar ish-shoqes së saj të ngushtë etj.

© Panorama.al

Te lidhura