Piramidat e ‘97, ndryshon ligji për shitjen e pronave

Sep 20, 2011 | 11:09
Komisioni i Ekonomisë

Vetëm 10 për qind e pasurive që iu konfiskuan ish-kompanive piramidale në vend, mbeten ende të pashitura dhe për to nuk ka ende një vlerësim paraprak për vlerën që kanë.Në Komisionin e Ekonomisë është diskutuar dje një ndryshim në ligjin “Për mënyrën dhe procedurën e shitjes së pronave të personave juridikë jobankarë, që kanë marrë hua nga publiku i gjerë”, i cili synon përshpejtimin e shitjes, që duket se ka ngecur në vend. Për vite të tëra, ndaj këtyre aseteve nuk është shfaqur as edhe një ofertë ose të paktën kështu konfirmohet nga strukturat përkatëse. Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, Bajram Malaj dhe Luan Muho, argumentuan ndryshimin e propozuar në pikën 1 të nenit 9, duke propozuar që çmimi për këto asete të bëhet publik para daljes në ankand. “Çmimi publikohet vetëm kur hapet ankandi por, sa i përket këtij përcaktimi, kemi gjykuar nisur nga përvoja e këtyre viteve, se kjo pikë është bërë pengesë në shitjen e aseteve. Kjo vjen për dy arsye; së pari, pengesa ligjore dhe së dyti, asetet e mbetura janë pothuajse të zhvlerësuara apo drejt zhvlerësimit total, për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar”, u shpreh përfaqësuesi i Financave, Bajram Malaj. Por, përkundër këtij ndryshimi, që çmimi i këtyre asteve të publikohet para daljes në ankand, opozita është treguar më e rezervuar në këtë pikë, duke i mëshuar faktit që privatizimet edhe për asetet shtetërore të bëhen në mënyrë të fshehtë dhe me çmim të pabublikuar paraprakisht. Nga ana e saj, opozita këmbënguli që është e nevojshme të bëhet një vlerësim total i gjithë aseteve ekzistuese të pashitura dhe vlerës që kanë ato në total, sakaq interes u shfaq edhe për asetet tashmë të shitura. “Rreth 90 për qind e asteve të ish-shoqërive huamarrëse janë shitur me ligjin 8386 të vitit 1997. Shitja është bërë nga një bord ankandesh pranë shoqërive huamarrëse. Më vonë, në vitin 2005, me një ndryshim të këtij ligji në disa nene, shitja nuk bëhet më nga ky bord ankandesh pranë shoqërive, por nga Drejtoria e Shitjes së Pronave Publike me pjesëmarrjen edhe të administratorit të shoqërisë përkatëse”, shpjegoi përfaqësuesi i Financave lidhur me asetet e shitura dhe mënyrën se si procedohet. Ndryshimi në ligj u miratua vetëm me votat e mazhorancës, ndërkohë që opozita vendosi të votonte kundër.

90 per qind
e asteve të ish-shoqërive huamarrëse janë shitur me ligjin 8386 të vitit 1997. Shitja është bërë nga Bordi i Ankandeve pranë këtyre shoqërive. Pjesa tjetër e aseteve mbeten të pashitura dhe të pavlerësuara

Asetet
Rreth 90 për qind e pasurive, që blenë ish-bosët e skemave piramidale në vend dhe që u konfiskuan, tashmë janë të shitura, kurse pjesa e mbetur janë objekte të ndryshme. Sipas përfaqësuesve të Financave, ato janë objekte të karakterit: fabrika të vogla sallami, lokale, banesa dhe të tjera ndërtime të kësaj natyre, të cilat ish-administratorët i kanë blerë për interesat e tyre.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura