Pezullimi i Ballukut, ish-kreu i Gjykatës së Apelit: Padia në Kushtetuese, ndërhyrje e papërshtatshme! Nuk është e drejtë ligjërisht

Dec 10, 2025 | 22:33

Ish-kreu i Gjykatës së Apelit, Alaudin Malaj, reagoi në emisionin “Oponencë” lidhur me pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra dhe padinë që kryeministri Edi Rama i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

alaudin malaj

Malaj u shpreh se qëndrimi i Shoqatës së Gjyqtarëve është i drejtë dhe se deklaratat publike të kryeministrit përbëjnë “sulm të drejtpërdrejtë” ndaj sistemit të drejtësisë.

“Nëse i qëndrojmë deklaratës së Shoqatës së Gjyqtarëve, jam parimisht dakord. Sulmi mediatik i kryeministrit është sulm i drejtpërdrejtë. Nuk besoj se e ka bërë me qëllim, por mendimet juridike që i janë shtirë ndërmend për të bërë këtë padi janë të papërshtatshme në këtë moment,” tha Malaj.

Ai theksoi se balanca e pushteteve është thelbësore, ndërsa gjyqësori ka një mekanizëm të vetëm për të mbajtur nën kontroll pushtetin ekzekutiv dhe atë legjislativ: procedimin penal dhe masat e sigurimit.

“Ne po ngutemi t’i themi gjykatës si duhet të veprojë. Ndërhyrja e kryeministrit është e papërshtatshme. Për mua, kreu i ekzekutivit nuk është i legjitimuar të paraqesë padi në gjykatë, nuk e ka të drejtën ligjore. Ai është futur vetë për t’u bërë palë—nuk e ka futur gjykata. Në asnjë vend të botës nuk ndodh që kryeministri bën padi,” argumentoi Malaj.

Ish-kreu i Apelit tha se arsyet e padisë mbeten për t’u diskutuar, por shtoi se një element pozitiv është fakti që kryeministri “pas 10 vitesh ka konstatuar se drejtësia aktuale ka dëmtuar familjet shqiptare”.

“Është vrarë gjyqtari në sallën e gjyqit. Shumë e rëndë ishte,” përfundoi Malaj.

Alaudin Malaj: Nëse do i qëndrojmë deklaratës nga shoqata e gjyqtarëve jam parimisht dakord. Sulmi mediatik I kryeministrit, është sulm i drejtpërdrejt. Mendoj që nuk e bën qëllimisht, por rrethanat e ngjarjes, dhe mendimet juridike që I kanë shtirë ndërmend kryeministrin për të bërë këtë padi janë të papërshtatshme për t’u bërë në këtë kohë. Balanca e pushteteve është kjo, kryeministri, parlamenti dhe gjyqtarët.

I vetmi mekanizëm që kanë gjyqtarët për të kontrolluar këto pushtete është vetëm kjo, të marrë një masë sigurimi të bëjë procedim penal dhe të ndërtojë një gjyq ndaj një njeriu. Pra ne po ngutemi për t’i thënë gjykatës ju duhet të veprimi ashtu siç duhet. Ndërhyrja e kryeministrit është e papërshtatshme. Për mua, kreu i ekzekutiv nuk legjitimohet si institucion që të bëjë asnjë lloj padie në gjykatë. Nuk e ka të drejtë ligjore.

Është futur vetë kryesisht për t’u bërë palë. Nuk e ka futur gjykata. Në asnjë vend të botës nuk ndodh që kryeministri bën padi. Por pse është bërë kush janë shkaqet apo arsyet kjo është për t’u diskutuar. Por ajo që më vjen mirë është që kryeministri pas 10 vitesh ka konstatuar që me këtë drejtësi u ka bërë dëm familjeve shqiptare. Është vrarë gjyqtari në sallën e gjyqit, shumë e rëndë ishte.

© Panorama.al

Te lidhura