
Një grup tifozësh kanë hapur një faqe në internet ku shpresojnë të bëjnë bashkë 100 mijë firma për shkarkimin e trajnerit argjentinas Serxho Batista. Ky i fundit është në ciklonin e medias në Argjentinë pas eliminimit në çerekfinale nga Uruguai. Megjithatë, për momentin federata ka vendosur të mos ndërmarrë asnjë veprim. Sipas shtypit vendas, Batistës i janë vendosur disa kushte për të vazhduar në stolin e “albiçelestëve”. Në radhë të parë ai duhet të shndërrojë Mesin në liderin absolut të ekipit, t’i bindet urdhrave të menaxherit Karlos Bilardo dhe të mos grumbullojë disa lojtarë mes të cilëve Zanetin, Kambiason dhe Militon. Ndërkohë, për herë të parë në historinë e saj, Venezuela ka arritur në gjysmëfinalet e Kupës së Amerikës, pasi ka mposhtur 2-1 Kombëtaren kiliane. Heroi i Kombëtares modeste, e cila bëri surprizën e radhës në këto çerekfinale, ishte mbrojtësi i majtë, Gabriel Çiçero. Ai shënoi golin e kualifikimit kur duheshin edhe 9 minuta nga fundi i lojës. Në fakt, Venezuela kaloi e para në avantazh me një tjetër mbrojtës, Osvaldo Vizkarondo, në minutën e 35-të. Kili barazoi në minutën e 70-të me Suazon. Të dyja skuadrat e mbyllën ndeshjen me 10 vetë. Venezuela do të luajë në gjysmëfinale këtë të mërkurë ndaj Paraguait.











