Pësoi djegie nga zjarri që i mori jetën të ëmës dhe vëllait në Maliq, Ministria e Shëndetësisë: 6-vjeçarja në gjendje kritike, po trajtohet në terapi intensive

Oct 19, 2025 | 20:07

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka reaguar zyrtarisht lidhur me gjendjen shëndetësore të vajzës 6-vjeçare, e mbijetuar nga ngjarja tragjike në Maliq, ku humbën jetën nëna dhe vëllai i saj si pasojë e një zjarri në banesë.

ministria e shendetesise

Në një njoftim për shtyp, ministria konfirmon se e mitura e identifikuar me inicialet N.A., ka mbërritur mbrëmjen e sotme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në urgjencën e Shërbimit të Djegie-Plastikës.

6-vjeçarja raportohet se ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërsa po trajtohet në terapi intensive.

“Pas vlerësimit të gjendjes shëndetësore, e mitura, aktualisht në gjendje kritike për jetën, u hospitalizua menjëherë në Shërbimin e Terapisë Intensive të Pediatrisë në QSUT, ku po trajtohet nga mjekët pediatër, reanimatorë dhe specialistët e djegie-plastikës, sipas të gjitha protokolleve mjekësore në fuqi”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, mësohet se Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka mbërritur personalisht në ambientet e QSUT pak minuta pas ardhjes së fëmijës dhe po ndjek nga afër situatën, së bashku me drejtoreshën e përgjithshme të QSUT, Anxhela Paparizo.

“Në orët e mbrëmjes, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka mbërritur për trajtim mjekësor 6-vjeçarja, N.A, e lënduar nga ngjarja e rëndë sot në qarkun e Korçës.

Pacientja u prit në urgjencën e Shërbimit të Djegie-Plastikës nga ekipi mjekësor, i cili ishte në komunikim të vazhdueshëm me mjekët,  që e shoqëronin gjatë transportit nga Korça drejt Tiranës.

Pas vlerësimit të gjendjes shëndetësore, e mitura, aktualisht në gjendje kritike për jetën, u hospitalizua menjëherë në Shërbimin e Terapisë Intensive të Pediatrisë në QSUT, ku po trajtohet nga mjekët pediatër, reanimatorë dhe specialistët e djegie-plastikës, sipas të gjitha protokolleve mjekësore në fuqi.

Pak minuta, pas mbërritjes së 6 vjeçares, në QSUT ka mbërritur  Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof. Evis Sala, e shoqëruar nga drejtoresha e përgjithshme e QSUNT, Anxhela Paparizo dhe po ndjekin nga afër gjendjen e saj, në komunikim të vazhdueshëm me ekipin e përbashkët mjekësor të Shërbimit të Djegie-Plastikës dhe Shërbimit të Terapisë Intensive të Pediatrisë në QSUNT.

MSHMS shpreh ngushëllimet për humbjen e pjesëtarëve të familjes dhe po qëndron në komunikim me QSUT, minutë pas minute për gjendjen shëndetësore të së miturës”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

zjarri maliq

Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e sotme në një lagje të Maliqit, ku një zjarr në banesën e familjes Azizllari i mori jetën nënës, Merjeme Azizllari (40 vjeç) dhe djalit 14-vjeçar, Luka.

Nuk dihen ende shkaqet që çuan në përfshirjen e banesës nga flakët,ndërsa fqinjët kanë deklaruar se mund të jetë shkaktuar nga vetë fëmijët, të cilit ishin diagnostikuar me spektrin autik.

“Familje punëtore, ishin me ekonomi të dobët. Babai i fëmijëve punonte, ajo mbante dy fëmijët, i ushqente me aq sa kishte mundësi. Bashkia i ndihmonte çdo muaj plus që merrnin dhe ushqime dhe ndihmë ekonomike. Vajza ishte më e vogël se djali, djali në këmbë, vajza nuk lëvizte dhe aq. Nëna nuk kujdesej shumë për fëmijët. Ne të lagjes i flisnim, i thoshim “laji, shpëlaji”. E ndihmonim, çdo gjë i çonim. Si binte në qafë askujt. Të dy fëmijët ishin autikë.

 Unë për momentin nuk isha por aty ajo ka një krevat sfungjeri dhe ata fëmijët trazonin zjarrin. Ka rënë zjarri aty, kishte djegur sfungjerit dhe dihet që bëri shumë tym, pa flakë. Vajza është hedhur nga dritarja, kurse ata të dy nuk mundën të dilnin. Vajzën e shpëtoi një zonjë kurse djali mbaroi me të ëmën. Doli kjo zonja rastësisht se e mora në telefon për të marrë diçka. Në atë kohë dëgjoi të thirrurat dhe vajza i binte derës. I binte me shkelma. Dëgjoi komshia, doli dhe komshia tjetër dhe pastaj arritën atje ku kanë arritur”, tha fqinja e familjes, Benereta Pashollari.

Ndërkohë, Bashkia e Maliqit ka premtuar mbulimin e plotë të shpenzimeve dhe po ndjek nga afër gjendjen shëndetësore të vajzës së mbijetuar, e cila ndodhet në trajtim intensiv në Tiranë.

© Panorama.al

Te lidhura