Peshku i helmuar në tregjet e Fierit, Higjiena: Konsumi i rrezikshëm

Sep 12, 2011 | 12:01
Peshku i ngordhur në sipërfaqe

FIER- Sasi të konsiderueshme peshku, si kocë dhe qefull, enden të ngordhur mbi sipërfaqet ujore në kanalin e hidrovorit, në bregdetin e Darzëzës. Era e keqe ndihet që shumë larg vendit, për shkak edhe të temperaturave të larta. Me gjithë situatën e krijuar, punonjësit e institucioneve përgjegjëse nuk e kanë prishur ditën e pushimit zyrtar kalendarik. Ndonëse konsumi i peshkut të helmuar rrezikon jetën dhe shëndetin e konsumatorëve, dje mendohet se u është drejtuar tregjeve të Fierit. Jo të gjithë banorët kanë qenë të informuar për masakrën e bërë në faunën në zonën e Darzëzës, ndaj ata e kanë blerë peshkun ashtu siç kanë vepruar edhe herë të tjera, pa e ditur rrezikun. Banorët nuk e përjashtojnë mundësinë që të kenë konsumuar edhe herë të tjera peshkun e kapur me këtë mënyrë, pra me lëndë helmuese. “Ja e ndieni se çfarë ere është përhapur? Mbytëse! Kjo vret edhe më shumë. Me vjen keq që disa familje të varfra në fshat kanë marrë nga peshku që mbeti i ngordhur në sipërfaqe dhe e çuan në shtëpi”, u shpreh M.Hiqmeti, banor i zonës ku tonelata peshku ndodhen të ngordhur në sipërfaqe. Ndërkohë, peshkatarë, të cilët nuk duan të identifikohen, shprehen se helmi që ata hedhin për të “peshkuar” quhet “Teodan”. Sipas tyre, kjo lëndë helmuese është mjaft produktive, pasi i tërheq speciet ujore. “Lënda e Teodanit ka veti që të shpërndahet shumë shpejt në sipërfaqen ujore. Ka veti tërheqjeje për peshqit. Me sa di unë, nuk ka efekt të momentit tek ata që e konsumojnë, por pasojat vijnë më pas”, u shpreh peshkatari Sabit D. Me gjithë situatën alarmante, institucionet përgjegjëse nuk kanë marrë asnjë masë. Burime nga Drejtoria e Higjienës në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Fier bënë të ditur se janë njohur me situatën nëpërmjet medias, ndërsa shtuan se duhen kontrolluar tregjet në mënyrë urgjente. “Peshku është i pakonsumueshëm, madje helmues për konsumatorët”, u shprehën burime pranë kësaj Drejtorie, por pa konfirmuar asnjë masë konkrete, të cilat me sa duket janë lënë për ditën zyrtare të punës, e cila është dita e sotme, pra e hëna.              m.r

© Panorama.al

Te lidhura