
Ngushtohet rrethi i pretendentëve për çmimet “Oskar” në kategorinë e filmave të huaj. Academy of Motion Picture Arts and Sciences ka bërë selektimin drastik, duke shpallur një listë të shkurtër me kandidatët e mundshëm. Nga 63 filma që garonin në këtë kategori, nga 63 vende të ndryshme të botës, vetëm 9 janë klasifikuar në “gjysmëfinale”, por vetëm 3 ose 4 syresh do shkojnë në natën e madhe të ndarjes së çmimeve, për të nxjerrë vetëm një fitues. Duke parë listën e publikuar, të bie në sy shpërndarja gjeografike: janë dy filma nga Lindja e Mesme, nga Irani e Izraeli, për të kaluar pak më poshtë, në Marok e ca më tej në Lindjen e Largme, në Tajvan, nga vjen një film epik historik, i ngjashëm me “Avatarin”. Katër filma vijnë nga Europa (Belgjikë, Gjermani, Poloni e Danimarkë) dhe një nga Kanadaja. Filmi që vjen nga Irani tashmë e ka kaluar një sprovë. “A separation” u nderua me “Golden Globe” në ceremoninë e 15 janarit, si filmi i huaj më i mirë. Në listën prej 63 kandidatëve fillestarë ishte edhe Shqipëria me filmin “Amnistia”. Fatkeqësisht, filmi nuk arriti të hyje te 9 më të mirët, po ajo që duhet të na shqetësojë më shumë, nuk është fakti që nuk u futëm në listën e shkurtër (edhe pse kjo do kishte qenë një arritje shumë e madhe për kinematografinë e vogël shqiptare), por që në të gjitha rastet kur përmendet Shqipëria, përsëritet precedenti i zgjedhjes së kandidaturës së parë (“Falja e gjakut”) dhe rrëzimi i saj dhe zëvendësimi me “Amnistinë”, falë një letre dërguar pranë Akademisë së çmimeve. Në vend që të flitej për vlera, përmendet për “letra”. Por ndoshta kështu është më mirë, që komisioni përzgjedhës të mundohet të zgjedhë më mirë kandidaturat, duke iu përshtatur kritereve të Akademisë, që gjithsesi, prapë mbeten për t’u diskutuar, në një botë që po bëhet gjithnjë e më globale e ku nuk mund të flitet për kufij të mirëpërcaktuar.
Gjysmëfinalistët
“Bullhead”,
Michael R. Roskam,
Belgjikë
“Monsieur Lazhar”,
Philippe Falardeau,
Kanada
“SuperClasico”,
Ole Christian Madsen, Danimarkë
“Pina”,
Wim Wenders, Gjermani
“A separation”,
Asghar Farhadi, Iran
“Footnote”,
Joseph Cedar, Izrael
“Omar Killed Me”, Roschdy Zem, Marok
“In Darkness”,
Agnieszka Holland,
Poloni
“Warriors of
the Rainbow:
Seediq Bale”,
Wei Te-sheng, Taivan











