Gjithçka do të shihet me kuriozitetin e vrimës së çelsit, nëse keni dëshirë të shihni politikanë të zhveshur lakuriq, ndërsa bëjnë afera brenda mureve të shtëpisë së një ministri. Politika e vërtetë bëhet në sallonin dhe kuzhinën e shtëpisë, e dinit?! Shtatë aktorë të rinj do të rrëfejnë disa histori më shumë nga legjendat urbane që qarkullojnë, ndërsa do vënë në skenë shfaqjen e vitit 1982 “Pass the Butler”, të dramaturgut, komedianit dhe aktorit anglez, Eric Idle. Nën titullin “Hiqe ministrin nga priza”, vijnë bota sipër dhe bota poshtë. Regjisori i shfaqjes, Arbër Jakllari, e ndan kështu jetën e politikanëve, nga ajo e njerëzve të thjeshtë. Një shfaqje që zhvesh sistemin politik nga intrigat, aferat, korrupsionin, tradhtitë, thashethemet, abuzimin dhe komplotet për të arritur në pushtet me çdo qëllim. Në këtë shfaqje shprehet një deshirë: Ne do të donim gjithmonë të votonim më të mirin, por ai nuk kandidon asnjëherë. Regjisori Jakllari tregon më shumë rreth demaskimit që u bëhet politikanëve në një skenë teatri.
Arbër çfarë politikanësh janë këta që po sillni në këtë shfaqje, sa ngjajnë me politikanët tanë?
Në fakt, ngjarjet zhvillohen në Angli dhe kjo si pjesë është një komedi satirike që në një farë mënyre tall politikanët e vendit të vet. Por, në këtë aspekt, unë them se politikanët janë njësoj në çdo vend dhe si tematikë e si komedi, natyrisht që përkon me aktualitetin tonë. Mund të them se autori ka dashur të demaskojë fort botën politike, i ka vendosur të gjithë personazhet në situata plot dinamizëm, aq sa gjithçka në komedi del hapur, pa fshehur më asgjë. Do të shihni një politikë brenda mureve të shtëpisë, jo atë në konferenca për shtyp apo premtime elektorale.
Protagonistët janë të gjithë politikanë, çfarë ndodh në luftën e tyre për pushtet?
Protagonistë janë tri femra dhe katër meshkuj, të interpretuar nga: Devis Muka, Cubi Metka, Klodjana Keco, Ina Gjonçi, Roland Saro, Klodian Hoxa dhe Alban Musa. Në shfaqjen ku flitet për një politikan të mirëfilltë, që është ministri në prizë (por që s’shfaqet në skenë),e gjitha pjesa vërtitet rreth tij pasi flitet për të. Por këtu shtrohet një pyetje çfarë ndodh brenda mureve të politikanëve, a janë në të vërtetë këta siç na dalin në media?! Në fakt, aty ka shumë perversitete, të gjitha për interesin e pushtetit.
Deri ku shkon degjenerimi i politikanëve i sjellë në këtë shaqje?
Pikërisht degjenerimi është një linjë paralele, pasi politikanët kanë marrëdhënie me gratë e shokëve, aq sa bëhet një lëmsh i vërtetë, flitet për pedofili, homoseksualitet, orgji, drogë e prostitucion. Politikanët në këtë shfaqje përmendin skandalet që bëjnë mes njëri-tjetrit. Gjithashtu, një linjë kryesore është ajo e aferave kolektive dhe pazaret politike për interesa të mëdha.
Dhe në këto linja, cilit i jepet më shumë rëndësi seksit apo pushtetit?
Mendoj pushtetit, pasi bëhet fjalë për një pushtet që rri në prizë dhe hiqet e vihet sipas interesave.
Po për ndjenja, dashuri në jetën e tyre, a flitet?
Jo, nuk flitet për dashuri të vërtetë, vetëm për marrëdhënie interesi nga fillimi deri në fund. Përderisa përmendet fjala “pushtet”, s’ka dashuri të vërtetë, ka vetëm interesa.
Ti si regjisor, u ke sugjeruar aktorëve modele të caktuara politikanësh shqiptarë, që ne duhet t’i identifikojmë gjatë shfaqjes?
Në vepër politikanët janë në moshë të madhe, por unë kam të gjitha të drejtat e mia t’i shoh të rinj, pasi po shkove atje sipër (e kam fjalën për pushtetin), do bëhesh pjesë e asaj loje. Unë nuk kam pasur ndonjë politikan të caktuar parasysh, pasi dua të tregohem strikt për sa i përket autorit tek karakteret, pra nuk dua ta shqiptarizoj.
Po skena të ekzagjeruara do të shohim, çfarë ndodh në këtë shfaqje?
Po, ka dy skena që ndodhin aty për aty, në rastin kur gjeneralja shet veten e saj që të bëjë për vete deputetin e ta ketë si armë kryesore që në rast se ai fiton zgjedhjet e ardhshme, ajo të ruajë vendin e punës, pra gjeneralja që i jepet një politikani.
Dhe një pyetje të fundit, a ndihen të lumtur këta politikanë?
Hmmm. Tema trajton luftën për pushtet, nëse do rrijë njëra parti apo tjetra. Luftë është dhe atje sipër, dhe ata e kanë luftën më të ashpër se njërezit e thjeshtë, kështu që nuk besoj se bëhet fjalë për lumturi.
KLOTILDA HARKA











