Përtej termave, te dukuritë

Sep 2, 2011 | 10:49

ERMAL HASIMJA

Ky shkrim niset nga një replikë e Adri Nurellarit te “Shqip” ndaj një shkrimi tim, mirëpo, në fakt, nuk është përgjigje ndaj shkrimit në fjalë për arsyen e thjeshtë sepse mendoj se jemi dakord me Nurellarin për shumicën e gjërave. Edhe po të përpiqesha ta bëja, do të rithosha të njëjtat ide që miku im i ka thënë pak më ndryshe në shkrimin në fjalë apo në shkrime të tjera me stilin e tij të shkëlqyer. Por, shkrimi i tij më nxiti të bëj disa sqarime në atmosferën e debatit rreth çështjes së nacionalizmit në Shqipëri. Vështirësia kryesore qëndron në konceptimin e termave. Është e vërtetë se në fjalorët e zakonshëm “nacionalizmi” i referohet shpesh, thjesht një identifikimi të fortë emocional me kombin. Nga kjo pikëpamje ai i afrohet konceptimit publik të konceptit të “patriotizmit”, megjithëse nacionalizmi i referohet kombit dhe patriotizmi atdheut. Prandaj, me të drejtë, dallimi mes dy koncepteve mund të duket relativisht i paqenë. Në gjuhën publicistike e politike të 50 viteve të fundit, gjithsesi, “nacionalizmi” dhe “patriotizmi” përgjithësisht janë dalluar. “Nacionalizmi” ka shkuar përtej përkufizimit si dashuri përparësore ose ekskluzive ndaj kombit dhe përdoret gjithnjë e më tepër në kuptimin e një ndjenje identitare agresive që ngjizet në sajë të rrezikut dhe përbuzjes (apo edhe urrejtjes) së tjetrit: tjetri këtu është i huaji, sidomos fqinji, emigranti, i ardhuri etj.
Këtij konceptimi të nacionalizmit i jam referuar vazhdimisht, duke e konceptuar dukurinë në fjalë si problematike dhe madje rrënuese për një vend. Ky “nacionalizëm” ksenofob e paranojak mbahet sot gjallë nga partitë radikale në mbarë botën, më tepër sepse siguron vota, sesa për shkak të ndonjë besimi të sinqertë: Balli Kombëtar i Jean-Marie Le Pen-it në Francë është shembulli tipik, por shembuj të tjerë ka plot në Austri, Gjermani, Belgjikë e natyrisht, me shumicë edhe në Ballkan, ku debatet janë bërë edhe me masakra e shfarosje. Koncepti i “patriotizmit” në fjalorin politik aktual ka domethënie më të butë duke ruajtur identifikimin përparësor e ndoshta ekskluziv me atdheun, por pa përmbajtur elementin anti-tjetër. Shembulli amerikan është më i dukshmi në këto vitet e fundit. Ky dallim bën të mundur përdorimin e dy koncepteve për të veçuar dukuri të ndryshme në politikë. Secili është i lirë të japë përkufizimin e vet të dy termave, por unë kam zgjedhur këtë përdorim konvencional që më është dukur më i shpeshtë.
E, megjithatë, për t’i shpëtuar lojës së përkufizimeve mund të ishte më e përshtatshme të analizohen dukuritë, duke shmangur emërtimet për aq sa është e mundshme. Po marr disa prej tyre:
Së pari, në perceptimin tim, kohët e fundit janë bërë përpjekje për zhvendosjen e përgjegjësisë për problemet e vendit drejt armikut të jashtëm ose të paktën zhvendosjen e axhendës politike drejt rrezikut të jashtëm. Leximi i disa teksteve të bën të mendosh se Shqipëria nuk ka qenë kurrë më e rrezikuar sesa sot nga armiku, kryesisht nga “greku”. Ky “grek” shfaqet këtu me shumë fytyra: a) është “greku” si përgjithësim i kahershëm, pra greku antishqiptar që duket apo kamuflohet; b) greku nacionalist, ose siç e quajmë ne, “ekstremist”, me qëllim që të ruhet koncepti i “nacionalistit” për përdorim të brendshëm pozitiv; si dhe c) greku “i brendshëm”, i shfaqur qoftë hapur përmes përfaqësuesve të pakicës greke në Shqipëri, qoftë “i demaskuar”, siç del nga një replikë që i bëhet një shkrimi të gazetarit Ilir Paço, shpallur nga replikuesit si nacionalist e përdorues i gjuhës së urrejtjes (akuzë me të cilën personalisht, pas leximit të shkrimit, nuk bie fare dakord). Pasoja e parë e zhvendosjes së rrezikut dhe problematikës, si dhe e krijimit të psikozës së rrethimit armik është eklipsimi i politikës klasike. Rrjedhimisht, është i parashikueshëm reagimi dhe qëndrimi i Kryeministrit, sepse kjo zhvendosje jo vetëm që bëhet nga kundërshtarë potencialë, por, mbi të gjitha, i kërcënon fushën e lojës. Politika është, mbi të gjitha, përkufizim i problematikës dhe i axhendës. Duket sikur Berishës dhe Ramës kjo zhvendosje i heq nga dora planin e parë në skenë. Aq më tepër kur eventualisht, Berisha, duke qenë në pushtet, rrezikon të shpallet pjesë e problemit apo neglizhent ndaj tij. Kjo pasojë e parë e zhvendosjes nuk përbën ndonjë problem të madh për aq kohë sa prek vetëm konkurrencën mes politikanëve. Ajo përbën problem të madh dhe serioz, sepse zhvendos edhe vëmendjen dhe pritshmëritë e votuesve nga problemet gjigante politike, sociale e ekonomike drejt problematikës së re inflacioniste. Prioritet i ri bëhet një rrezik kombëtar i shpallur tashmë prej heronjve të rinj që eventualisht ia kanë gjetur paraprakisht edhe ilaçin dhe janë të gatshëm ta ofrojnë publikisht sapo të thirren nga populli në Parlament.
Së dyti, çështja e ndërsjellësisë. Mjafton të lexosh tekste përtej kufijve për të kuptuar se grekët e serbët që i konsiderojnë shqiptarët si rrezik kombëtar (sa rrugë e gjatë për të mos përdorur termin “nacionalist”!) kanë saktësisht të njëjtat argumente që kanë shqiptarët që i konsiderojnë grekët e serbët si rrezik kombëtar: “ata na kanë rënë në qafë gjithmonë”, “ne kemi qenë gjithnjë paqësorë”, “ata kanë bashkëpunuar me pushtuesit tanë”, “ata kanë emigruar në vendin tonë ku jemi autoktonë” etj., etj. Ajo që është më problematike është se logjika e ndërsjellësisë shndërrohet në përligjje politike. Nëse “greku” na fyen në Athinë, ne duhet t’ia kthejmë njësoj në Tiranë. Nëse ata nxjerrin një tufë racistësh në paradë, ne duhet të jemi 1000 kur t’ua djegim flamurin publikisht dhe ata 10 000 kur të na e kthejnë kumtin e zakonshëm. Nëse ata shkelin të drejtat e shqiptarëve në Greqi, ne duhet të rimendojmë të drejtat e tyre në Shqipëri.
Së treti, kjo logjikë ka edhe një përmasë tjetër të shprehur qartë në një emision nga një përfaqësues i shpalljes së rrezikut grek, kur ky i fundit u deklaroi përfaqësuesve të pakicës greke se duhet t’i jenë mirënjohës Shqipërisë për të drejtat që gëzojnë! Çështja është se këta minoritarë janë gjithashtu shtetas të Shqipërisë dhe të drejtat ua jep Kushtetuta pa qenë nevoja t’i jenë mirënjohës dikujt. Unë personalisht nuk i jam mirënjohës askujt për të drejtat që kam. Të drejtat e mia janë të miat dhe nuk mund të m’i japë askush. Mund të m’i marrë, por nuk mund të m’i japë askush. Grekët e Shqipërisë janë, siç e tregon edhe përkufizimi… të Shqipërisë. Greqia do të duhej të respektonte të drejtat e shqiptarëve të Greqisë (përfshirë dhe sidomos të çamëve) dhe madje edhe të drejtat normale të emigrantëve sipas standardeve të përgjithshme të drejtësisë, por nëse Greqia nuk e bën këtë gjë, kjo nuk përbën një arsye për ta imituar. Nëse e imitojmë të keqen e supozuar, ku dallojmë prej saj? Thjesht nga rendi i nismës? Sepse ata e nisën të parët? A është Kushtetuta e Shqipërisë në dorë të “grekut antishqiptar”, apo në dorë të shqiptarëve?
Së katërti, është problemi i përçarjes së vetë shqiptarëve dhe ndarjes në dy kampe artificiale. Në kushtet e pranimit të një rreziku kombëtar (domethënë jetësor, meqë kombi po rrezikohet) gjithkush që nuk pranon rrezikun është automatikisht armik, ose në rastin më dashamirës, injorant naiv. Po sikur të jetë e kundërta, pra sikur ky “armik” të ketë të drejtë dhe të jetë pikërisht ai që e sheh mbretin lakuriq në teshat e tij të padukshme?
Së pesti, kjo politikë paranojake ndaj tjetrit ka pasojën e drejtpërdrejtë të ushqimit të paranojës së tjetrit. Dhe kjo është çështje që zgjat me shekuj. Tjetri e nisi i pari. Ne u mbrojtëm. A nuk janë tekstet, deklaratat dhe politikat antishqiptare frymëzimi më i madh i antigrekëve dhe anasjelltas? Për më tepër, identitetet e tjera reduktohen brenda stereotipave: “greku” për shqiptarët dhe “shqiptari” për grekët. A thua se ka një shqiptar e një grek që përmbledhin thelbin tonë përkatës! Argumenti që përdoret rëndom kundër atyre që kundërshtojnë nacionalizmin e përkufizuar si më lart është se janë të verbër ndaj rrezikut, duke sjellë si provë pikërisht paranojën e tjetrit për të përligjur paranojën vendore. Dhe ky ushqim i ndërsjellë i paranojës nuk zhvillohet në trajtë horizontale, por në trajtë spiraleje. E keqja që vjen nga tjetri na shtyn gjithmonë të mbrohemi me një të keqe më të madhe, gjë që, natyrisht, e mendon edhe tjetri.
Së gjashti, kjo politikë është aq “e suksesshme”, sa pasi rrënjoset është shumë vështirë ta heqësh qafe. Politikanët e përdorin fillimisht për të krijuar elektorat, por më pas është elektorati që mban peng politikanët, sepse pa votën e tyre anti-tjetër nuk është e mundur të fitosh zgjedhjet. Nga strategji vote prirja shndërrohet në politikë e jashtme, gjë që, natyrisht, ushqen më tepër ndjekësit vendas dhe ata të armikut. Prandaj nuk është vështirë për të gjetur realisht prova për shovinizmin e tjetrit.
Për shumë njerëz besimi është i sinqertë, por shpesh i tradhtuar nga nismëtarët. Më ka bërë gjithmonë përshtypje një shprehje nga një mik prishtinas i zhgënjyer nga “heronjtë” e shumtë të shfaqur në skenë pas mbarimit të luftës: “Patriotë nuk ka më: u vranë të gjithë në luftë”. Më kujtohet gjithashtu një tip po në Prishtinë, që përpara se të më thoshte emrin, m’u prezantua si ish-ushtar i UÇK-së. Por më kujtohet edhe miku im, Bekimi, për të cilin e mora vesh se kishte qenë ushtar i UÇK-së (dhe ishte plagosur) vetëm 6 muaj pasi e njihja nga afër dhe madje jo prej tij, por prej të tjerëve.
Përkundër kësaj politike kam mbrojtur idenë se Shqipërisë i duhet të përballet me probleme reale dhe se ndërtimi i një paranoje nacionaliste, përligjur apo jo nga paranoja e fqinjëve, na ekspozon ndaj një rreziku të provuar tashmë në Ballkan dhe kudo tjetër. Cilido që dëshiron t’i shërbejë këtij vendi mund ta bëjë duke qenë një qytetar i përgjegjshëm, një zyrtar i përgjegjshëm, duke respektuar ligjin, pa përjashtuar mundësinë e mbrojtjes së kufirit me armë në dorë nëse do të ishte e nevojshme. Unë e dua vendin tim, madje, pa pikë ekzagjerimi, mendoj se e dua shumë më tepër se 99,99% e qytetarëve të tij, por e konsideroj këtë si çështje personale timen dhe nuk i njoh vetes ndonjë meritë të veçantë për këtë. Kjo është arsyeja kryesore përse marr përsipër të bëj një shkrim të dënuar paraprakisht për t’u kthyer në tabelë qitjeje njësoj si i mëparshmi dhe shkrime të tjera të kolegëve që kanë kurajën të denoncojnë të njëjtat dukuri të rrezikshme duke paguar koston përkatëse.
Ata që mbrojnë nacionalizmin të përshkruar si më lart përdorin zakonisht edhe argumentin se ai i duhet një vendi, qoftë edhe për ndonjë periudhë të veçuar. Por a është kjo e vërtetë? A i duhet një vendi dhe një shoqërie diçka më tepër sesa përgjegjshmëria publike e qytetarit dhe qeverisësve? Unë mendoj se jo dhe po marr disa ilustrime:
A do të ekzistonte problemi i kthimit të përkatësisë etnike nëse do të respektohej ligji e do të kërkoheshin dokumentet e nevojshme për vërtetimin e etnisë së pretenduar? A do të kishte kthime, gjithsesi, nëse këta qytetarë do të ishin minimalisht të përgjegjshëm sa për të mos gënjyer për para? A do të kishte qytetarë të gatshëm të ndërronin identitetin e tyre për 200 euro në muaj nëse qeveritë tona do të ishin mjaftueshmërisht të përgjegjshme sa për të mos e lënë këtë vend në periferinë ekonomike, sociale e politike të Europës? Është thënë e stërthënë, me të drejtë mendoj edhe unë, se tregu i komunikimit celular ishte kthyer në një oligopol të dy kompanive të vetme. Ky problem do të zgjidhej, siç u zgjidh, duke liberalizuar tregun. Sepse oligopoli nuk ndodhi ngaqë dy kompanitë ishin greke, por sepse, si çdo kompani tjetër që i jepet rasti, përfituan nga situata dhe papërgjegjshmëria e qeverive tona. Jo të gjithë kompanitë që kanë përfituar nga situata monopoli apo oligopoli janë greke. A do të ekzistonte problemi i riciklimit të eshtrave në fshatrat shqiptare në eshtra ushtarësh grekë nëse Policia, Prokuroria dhe gjykatat shqiptare do të funksiononin për së mbari? A nuk do të ishin zgjidhur ose parandaluar një pjesë e mirë e këtyre problemeve nëse në vend të llafeve të ishte punuar për një sistem drejtësie funksional?
Askush nuk e mohon se ka grekë albanofobë, siç ka shqiptarë grekofobë. Askush nuk e mohon se ka grekë që punojnë kundër interesave tona publike, siç ka shqiptarë që punojnë kundër interesave publike greke. A janë këta një arsye e mjaftueshme për të ushqyer një luftë ideologjike, ekonomike e politike mes dy vendeve? A është e nevojshme të bëhemi si ta për të përballuar rrezikun që paraqesin? Mos ndoshta i ndihmojmë grekët nacionalistë të bëhen albanofilë duke treguar edhe ne zellin grekofob?

© Panorama.al

Te lidhura