Përplasja e fortë me Ramën në mbledhjen e Grupit të PS, reagon Spiropali: Meritokracia nuk funksionon më si praktikë! Arroganca dhe abuzimi…

Mar 31, 2026 | 12:40

Pak ditë pas përplasjes së fortë me kryeministrin Edi Rama në mbledhjen e Grupit të PS, ka ardhur edhe reagimi i deputetes së PS, Elisa Spiropali, e cila me anë të një postimi të gjatë në rrjetet sociale thotë se “heshtja nuk është mungesë përgjigjeje”.

rama spiropali

Ish ministrja e Jashtme Spiropali e zgjeron reflektimin përtej rastit personal, duke e cilësuar situatën si pjesë të një modeli më të gjerë shoqëror.

Sipas saj, po konsolidohet një realitet ku arroganca dhe abuzimi rrezikojnë të normalizohen, ndërsa meritokracia zbehet përballë konformizmit dhe përshtatjes me pushtetin.

“Ajo që po ndodh nuk është thjesht një çështje personale, por një shfaqje e një modeli që po zgjerohet me një normalitet të heshtur, ku arroganca dhe abuzimi nuk paraqiten më si devijime, por si forma të pranueshme shoqërore. Ky model nuk imponon vetëm vendime, por ndërton një kulturë ku bindja konsiderohet virtyt dhe përshtatja shpërblehet më shumë se merita, duke e zhvendosur gradualisht politikën nga një hapësirë e konkurrencës së ideve në një strukturë të mbyllur ku rëndësi ka sa përshtatesh, jo sa vlen”, shkruan Elisa Spiropali.

Ajo paralajmëron se në një klimë të tillë, debati publik nuk zhduket, por shtypet, duke krijuar tensione të padukshme, ndërsa liria rrezikon të reduktohet në një koncept formal dhe jo në një praktikë të përditshme.

“Këtu fillon edhe heshtja e debatit, jo si mungesë mendimesh, por si mungesë hapësire për t’i vënë në jetë. Sepse debati nuk zhduket, ai shtypet, dhe kur shtypet, nuk krijon qetësi, por grumbullim të padukshëm tensioni. Dhe pikërisht aty ku debati zëvendësohet nga dakordësia e heshtur, meritokracia fillon të përmendet si parim, por nuk funksionon më si praktikë, sepse ajo kërkon një drejtësi që nuk pranon kompromise me rehatinë e pushtetit”, shkruan më tej Spiropali.

LEXO EDHE: “Ti një herë mos fol fare në prezencën time”- Rama përplaset me Spiropalin në mbledhjen e Grupit të PS: Mos na fol ashtu se jemi deputetë! Pak më shumë…

postimi

Reagimi i Elisa Spiropalit 

Ka ditë që në emisione dhe forume flasin për mua, me një siguri që shpesh nuk vjen nga njohja, por nga nevoja për ta mbushur boshllëkun me versione. Zërat shtohen, interpretimet shumëfishohen, ndërsa ajo që mungon është qetësia për të kuptuar se jo çdo gjë që ndodh kërkon një rrëfim të menjëhershëm publik.

Heshtja ime nuk është mungesë përgjigjeje, është një kufi i vendosur mes asaj që duhet thënë dhe asaj që duhet kuptuar, sepse në një kohë kur gjithçka kërkon të shpjegohet, rrezikojmë të humbasim kuptimin e vetë përgjegjësisë.

Ajo që po ndodh nuk është thjesht një çështje personale, por një shfaqje e një modeli që po zgjerohet me një normalitet të heshtur, ku arroganca dhe abuzimi nuk paraqiten më si devijime, por si forma të pranueshme shoqërore.

Ky model nuk imponon vetëm vendime, por ndërton një kulturë ku bindja konsiderohet virtyt dhe përshtatja shpërblehet më shumë se merita, duke e zhvendosur gradualisht politikën nga një hapësirë e konkurrencës së ideve në një strukturë të mbyllur ku rëndësi ka sa përshtatesh, jo sa vlen.

Në këtë rrjedhë, fitorja fillon të humbasë përmbajtjen e saj morale dhe reduktohet në rezultat, ndërsa besimi që e legjitimon atë dobësohet në mënyrë të padukshme. Dhe kur iluzioni zëvendëson reflektimin, atëherë edhe dinjiteti fillon të trajtohet si një element i negociueshëm, i varur nga momenti dhe nga pozicioni, jo si një vlerë që qëndron përtej pushtetit.

Këtu fillon edhe heshtja e debatit, jo si mungesë mendimesh, por si mungesë hapësire për t’i vënë në jetë. Sepse debati nuk zhduket, ai shtypet, dhe kur shtypet, nuk krijon qetësi, por grumbullim të padukshëm tensioni. Dhe pikërisht aty ku debati zëvendësohet nga dakordësia e heshtur, meritokracia fillon të përmendet si parim, por nuk funksionon më si praktikë, sepse ajo kërkon një drejtësi që nuk pranon kompromise me rehatinë e pushtetit.

Në këtë klimë, frika nuk ka nevojë të shpallet për të ekzistuar, ajo ndihet, shpërndahet në mënyrë të heshtur dhe bëhet pjesë e një rendi të ri ku njerëzit mësohen të masin fjalët, jo për nga vërtetësia, por për nga pasojat. Dhe kur kjo ndodh, liria humbet karakterin e saj si ushtrim i përditshëm dhe reduktohet në një dëshirë që përmendet më shumë sesa praktikohet. Kjo është ndoshta forma më e rafinuar e kufizimit, kur liria nuk ndalohet, por zbehet.

Ndërkohë, Europa mbetet referencë e përhershme në diskurs, një fjalë që përdoret për të legjitimuar çdo drejtim.

Europa nuk është një narrativë për t’u cituar, por një rend vlerash që kërkon përputhje, dhe çdo distancë mes fjalës dhe praktikës e bën këtë referencë të zbrazët. Në këtë pikë, politika përballet me një pyetje që nuk mund ta shmangë: a jemi duke ndërtuar një sistem që prodhon përgjegjësi apo një sistem që e justifikon dhe riprodhon veten?

Fitorja nuk merret, ajo provohet.

Meritohet kur njerëzit nuk të ndjekin nga frika, por të besojnë nga bindja, dhe kur largohesh, mbetet respekti, jo vetëm rezultati.

Prandaj, nuk kam folur për veten, sepse kjo nuk është një histori që fillon dhe mbaron me një individ. Është një pasqyrë e një kohe që kërkon më shumë reflektim se reagim. Dhe ndoshta, në një moment kur gjithçka kërkon zë, heshtja bëhet forma më e fortë e fjalës, sepse ajo nuk i nënshtrohet menjëhershmërisë, por i jep kohë të vërtetës të marrë formë.

Çfare ndodhi në mbledhjen me dyer të mbyllura në Grupin e PS

Burime për “Panorama” bënë me dije se në Pallatin e Brigadave ku u zhvillua takimi pati disa replika me tone të ashpra mes deputetes Spiropali dhe kryeministrit Rama.

Gjatë fjalës së ministres për Shtetin dhe Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, e cila ka folur për strategjinë e komunikimit, deputetja Elisa Spiropali mësohet se është parë të qeshte.

Ky gjest i Spiropalit është parë nga ministrja Ismaili, e cila i është drejtuar me fjalët, “zonja Spiropali s’ke pse qesh”.

Ish-ministrja e Jashtme i është përgjigjur me fjalën “urdhëro?”. Spiropali mësohet se i ka thënë ministres Ismaili t’i kërkojë falje.

Spiropali i ka kërkuar që të ketë më shumë respekt për deputetët dhe në ato momente mësohet të ketë ndërhyrë Rama duke i thënë që të pushojë dhe të mos flasë.

“Pak më shumë respekt për deputetët, mos na fol ashtu, me respekt se jemi dhe deputetë!”, mësohet të ketë thënë Spiropali.

Në atë moment ka reaguar vetë kryeministri Rama, i cili i është drejtuar Spiropalit me tone të ashpra.

“Ti mos e hap gojën fare, fare. Ti një herë mos fol fare, të paktën në prezencën time!”, ka deklaruar ai, sipas burimeve për “Panorama”.

Në mbledhjen e sotme, Spiropali dhe deputeti Erion Braçe u panë të ulur në rreshtin e fundit dhe pas kurrizit të kryeministrit Rama.

© Panorama.al

Te lidhura