KUKËS- Një person ka mbetur i vdekur dhe 6 të tjerë janë plagosur në një aksident që ndodhi mëngjesin e sotëm në aksin Kukës- Morinë. Sipas të dhënave të para të policisë mësohet se viktima është identifikuar si shtetasi Nail Truma, 55 vjec.
Aksidenti ndodhi në afërsi të fshatit Breg-Lum, rreth 3 km larg qytetit të Kukësit. Mjeti me të cilin udhëtonte viktima është përplasur me një furgon udhëtarësh dhe me nje tjeter automjet. Nga përplasja ai gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që të plagosurit u transportuan në spital, e sipas mjekëve për fat janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia nisi hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, ndërkohë që nga hetimet paraprake dyshohet për një humbje të kontrollit të drejtimit të mjetit nga ana e 55 vjecarit, për shkak të mjegullës së dendur.











