Pero Pejiçit i përfundon kontrata në fund të këtij muaji dhe me gjasa do të largohet nga Tirana. Kroati pohon se, në rast se do t’i vinte një ofertë nga jashtë Shqipërisë, edhe mund të largohej, por thekson se deri më tani nuk ka asgjë konkrete. Fillimisht ai kërkon që të bisedojë me drejtuesit, pra Halilin e Dimrajn, dhe më pas të vendosë. “Po mbaron sezoni, gjithashtu edhe kontrata që kam nënshkruar me klubin e Tiranës. Në fund të muajit maj mund të quhem lojtar i lirë. Ende nuk e kam vendosur se çfarë do të bëj në të ardhmen, pasi dua që të bëj gjithçka hap pas hapi. Fillimisht dua të bisedoj gjerësisht për këtë çështje me drejtuesit, pra me presidentin Halili dhe shefin Dimraj, e më pas të vendos. Nuk di ç’të them për momentin, nëse dua të qëndroj apo jo, pasi më parë dua të qartësoj disa pika me krerët e Tiranës. Megjithatë, dua të shtoj se, në rast se do të kem një ofertë nga jashtë Shqipërisë, edhe mund të iki, në të kundërt do të qëndroj në Shqipëri. Nuk mund ta saktësoj në do të rri te Tirana apo në ndonjë klub tjetër, sepse, siç ju thashë, as vetë s’e di. Në fakt, menaxheri im më ka njoftuar për një ofertë jashtë vendit, por për momentin jam këtu dhe s’dua të flas para kohe. Do të flas njëherë me drejtuesit dhe, nëse biem dakord për paratë, edhe mund të qëndroj”, – tha sulmuesi në lidhje me të ardhmen.











