Përmbytjet, në tetor çelet fondi për dëmet në Shkodër

Sep 9, 2011 | 10:57
Zonë e përmbytur në Shkodër

Fillimi i muajit tetor do të shënojë dhe nisjen e procedurave për shpërndarjen e dëmshpërblimeve në zonën e Shkodrës.Drejtues të Këshillit të Qarkut në Shkodër kanë publikuar lajmin, duke bërë kështu që të rikthehet dhe shpresa e shkodranëve për marrjen e lekëve. “E rëndësishme është që po bëhet kalimi i fondeve nga qeveria. Komisioni i ngritur nga Këshilli i Ministrave, për çdo ministri ka marrë në shqyrtim të gjitha dosjet e dërguara prej nesh, ka bërë vërejtjet e nevojshme, ne kemi punuar mbi këto vërejtje dhe tani çdo gjë është gati”, bëjnë të ditur burimet nga Këshilli i Qarkut. Fondi për dëmshpërblim kalon shifrën e 35 milionë dollarëve. Konfirmohet se në qarkun e Shkodrës praktika e plotë sa i përket dëmshpërblimeve është dërguar në Ministrinë e Brendshme një muaj më parë dhe tashmë pritet vetëm miratimi nga ana e Këshillit të Ministrave. Por kjo nuk do të ndodhë para muajit tetor, pasi deri në atë periudhe do të bëhet një rishpërndarje e buxhetit, pas korrigjimit që i bëri Kuvendi i Shqipërisë, duke e shkurtuar me rreth 180 milionë euro si masë për të evituar kërcënimin e rëndë të një krize të mundshme ekonomike. Pasi janë dhënë data dhe afate që në fillim të këtij viti, Këshilli i Qarkut të Shkodrës sqaron se tashmë nuk do të ketë shtyrje të datave, pasi kanë kaluar të gjitha procedurat e nevojshme. Po sipas këtyre burimeve, mënyra e shpërndarjes nuk do të sjellë anomali, pasi do të ndiqet e njëjta rrugë siç është ndjekur në shpërndarjen e dëmshpërblimeve të para, një vit më parë. Dy muajt e fundit, banorë të zonave të ndryshme kanë organizuar protesta në shenjë pakënaqësie për vonesat në shpërndarjen e dëmshpërblimit të përmbytjeve. Madje, ata kanë kërcënuar dhe për bllokim të rrugëve nacionale. Me sa duket, këto protesta kanë bërë që dhe strukturat shtetërore të përshpejtojnë punën që në tetor çdo gjë të jetë gati. Përmbytjet e fundvitit të kaluar ishim më të mëdhatë e ndodhura në zonën e Shkodrës. Në shkallë qarku, sipërfaqja e tokës së përmbytur arriti në rreth 14 mijë hektarë, ndërsa numri i shtëpive të përmbytura në 4700 të tilla dhe 3 mijë banesa me prezencë uji. Grupet e vlerësimit të dëmeve u ngritën në bashki dhe komuna, duke punuar në disa drejtime. U bë vlerësimi i dëmeve në banesa, në prodhime bujqësore, blegtorale dhe biznese. Vlera e përgjithshme e dëmeve të shkaktuara në banesa dhe në pajisje shtëpiake është 20 milionë dollarë. Ndërkohë, në bujqësi kemi një shifër prej 15 milionë dollarësh. Sipas kryetarit të Këshillit të Qarkut në Shkodër, Gjovalin Kolombi, vlerësimi i dëmeve është llogaritur edhe duke pasur parasysh ndarjen sipas njësive vendore.

Dëmet sipas njësive vendore

Bashkia Shkodër        412 milionë lekë
Malësia e Madhe        11 milionë lekë
Komuna Ana e Malit        71 milionë lekë
Komuna Dajç            683 milionë lekë
Komuna Gur i Zi            113 milionë lekë
Komuna Bërdicë        357 milionë lekë
Komuna Bushat            299 milionë lekë
Komuna Velipojë        130 milionë lekë
Komuna Rrethina        11 milionë lekë
Komuna Kastrat            3 milionë lekë

SHKODER/ RITVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura