“Banesat nën ujë, qeveria vazhdonte ahengjet!”- Përmbytjet në Durrës, Berisha: Patronazhistët vodhën tre pompa të fuqishme të hidrovorit të Hamallës!

Jan 15, 2026 | 14:02

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për përgjegjësi direkte në përmbytjet e rënda që përfshinë Durrësin dhe disa qarqe të tjera të vendit, duke deklaruar se janë vjedhur pompat e hidrovorit të Hamallës.

Berisha PD grupi demokratet mbledhja selia blu (1)

“Në Durrës, dy hidrovorë të fuqishëm që e mbrojnë dhe dy kanalet kryesore që e mbrojnë, ishin jashtë funksionit. Hidorvori i Hamallë, patronazhistët i kishin vjedhur tre pompa të fuqishme, të zhdukura të treja”, tha ai.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha u shpreh se Shqipëria e nisi vitin e ri me mijëra banesa u përmbytën, ndërsa shteti, sipas tij ishte shkaktari kryesor i kësaj katastrofe.

Berisha u shpreh se në ujërat që përmbytën mijëra shtëpi “u përmbyt edhe morali i kalbur i kësaj qeverie”, ndërsa qeveria vazhdonte ahengjet dhe udhëtimet.

Sali Berisha: Së pari edhe unë përzemërsisht u uroj përsëri ju të gjithë atyre që u kanë votuar ju dhe mbarë shqiptarëve një vit në lartësinë e pritshmërive më të mira që kemi.

Të nderuar deputete e deputetë, ne nisim këtë vit kur të gjithë shqiptarët, të gjithë miqtë e Shqipërisë në Europë dhe në botë presin nga PD, presin nga opozita shqiptare zgjidhjen e situatës dramatike në Shqipëri.

Zgjidhjen përfundimtare të kësaj situate, e cila si në asnjë vend tjetër, një vend anëtar i NATO-s, një vend që pretendon se po ecën drejt BE, faktohet para qytetarëve të saj dhe mbarë botës një klikë e papërgjegjshme, një organizatë kriminale që vjedh ditë e natë qytetarët e saj. Një organizatë kriminale që bashkëpunon me kartelet më të rrezikshme të drogës në Europë dhe në botë.

Shqiptarët e nisën këtë vit në shumë zona të vendit, nga Gjirokastra në Shkodër, por veçanërisht në Durrës dhe qarkun e Durrësit, në një përmbytje të përmasave të papara ndonjëherë. Në një përmbytje me pasoja të rënda, në një përmbytje në të cilën shteti jo që nuk ishte një mbështetje për qytetarët, por shteti me korrupsionin e tij të çmendur, të papërmbajtur, ishte shkaku i thellë i kësaj përmbytje të paparë ndonjëherë në qarkun e Durrësit, por edhe në disa qarqe të tjera.

Në fakt, në ujërat që përmbytën mijëra e mijëra banesa, nga veriu në jugun e vendit, u përmbyt gjithashtu morali i kalbur i kësaj qeverie.

Shqiptarët panë se si këta gobsekë vazhdonin ahengjet, udhëtimet, ndërkohë që ujërat shtoheshin çdo ditë në shtëpitë e tyre. Shqiptarët panë me sytë e tyre shkaqet e vërteta të kësaj drame që pësuan dhe që edhe sot janë në të.

Në çdo vend dhe çdo qeveri në botë, ndërtohet një infrastrukturë kundër përmbytjeve. Dhe në ligjin e sigurisë kombëtare, emergjenca ndaj fatkeqësive natyrore ka një përparësi absolute.

Pra, Shqipëria u dogj sa asnjëherë tjetër në historinë e saj. Satelitët e Peleshit mbushën xhepat e Edi Ramës. Firmosja e një marrëveshje se na duhen satelitët për të parë vatrën e parë të zjarrit që të shkojmë dhe ta fikim menjëherë, ky mashtrues i paskrupullt, i pamoral, zjarret dogjën njerëz të gjallë, dogjën familje, shtëpi si asnjëherë tjetër, dhe satelitët i verboi korrupsioni.

Më dramatike është situata e përmbytjeve. “Homemade”, e përbërë nga dora e njeriut. Problemi është në Durrës, dy hidrovorë të fuqishëm që e mbrojnë dhe dy kanalet kryesore që e mbrojnë, ishin jashtë funksionit. Hidorvori i Hamallë, patronazhistët i kishin vjedhur tre pompa të fuqishme, të zhdukura të treja. Vidhen pompat dhe motorët.

© Panorama.al

Te lidhura