Përleshje në Tiranë, vritet pronari i pikës së basteve

Jul 2, 2011 | 11:09
Vendi ku ndodhi ngjarja mbrëmë në Tiranë

Një 33-vjeçar nga qyteti i Fierit u vra mbrëmë tek ish-”Profarma” në Tiranë.Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, kur shtetasi Artan Këllezi është qëlluar me thikë pranë një pike bastesh dhe më pas ka gjetur vdekjen. Policia tha mbrëmë se viktima, Artan Këllezi, njihej si pronar i pikës së basteve IP-BET, ku ndodhi ngjarja, pasi qëndronte aty shumicën e kohës. Sipas burimeve nga Policia, viktima e ngjarjes është banues në zonën ku ndodhi krimi, pranë ish-”Profarmës”, në kryeqytet. Ai ka qenë duke shkuar në pikën e basteve të zonës në momentin kur është këmbyer me të dyshuarin si autor të ngjarjes, tashmë i identifikuar nga policia, me emrin Stilian Korabi, 34 vjeç. Burime nga grupi hetimor kanë thënë mbrëmë se shtetasi Artan Këllezi ka hyrë në pikën e basteve dhe ka qëndruar për disa minuta. Në këtë interval kohor ai ka pasur një debat me të dyshuarin për vrasjen, të cilit gjatë komunikimit i është drejtuar për një moment me fjalën “budalla”, ndërsa të dy protagonistët e ngjarjes ndodheshin brenda lokalit. Gjatë qëndrimit brenda ambienteve të pikës së basteve, autori i vrasjes dyshohet se ka qenë i shoqëruar edhe nga një person tjetër i njohur i tij. Pas debatit me pronarin e lokalit, 34-vjeçari i dyshuar për ngjarjen ka dalë nga pika e basteve dhe ka pritur jashtë disa minuta. Sapo ka parë Artan Këllezin të dalë nga ambienti i lokalit të  basteve, autori i krimit i është vërsulur 33-vjeçarit duke e sulmuar dhunshëm. Trotuari në pjesën e jashtme të pikës së basteve është kthyer në arenë beteje fizike mes dy personave që patën konflikt mes tyre, derisa pronari i pikës IP-BET është qëlluar disa herë me thikë dhe është rrëzuar përtokë.
Përleshja
Për disa minuta mes autorit të vrasjes dhe viktimës, Artan Këllezi, ka ndodhur një përleshje e ashpër fizike. Mbrëmë, rreth mesnatës Policia e Tiranës tha se 33-vjeçari nga Fieri, Artan Këllezi, ishte goditur disa herë me thikë në trup dhe për pasojë ka humbur shumë gjak. Personat që ndodheshin në lokalin e basteve kanë njoftuar policinë në lidhje me ngjarjen, ndërsa shërbimet e rendit kanë mbërritur aty brenda pak minutave. Shtetasi Artan Këllezi mësohet se ka gjetur vdekjen gjatë rrugës për në spital, për shkak të dëmtimeve të rënda që ka pësuar nga sulmi me kaçavidë. Policia, nga ana tjetër, ka identifikuar autorin e vrasjes, i cili mësohet se është banor i zonës dhe i njohur prej disa shtetasve që kanë qenë të pranishëm në lokalin e basteve, pranë të cilit ndodhi krimi. Po kështu, nga dëshmitarët policia mësoi se autori i vrasjes, pasi ka qëlluar me thikë viktimën, ka hipur në një makinë me targa të huaja dhe është larguar nga vendi i krimit. Mbrëmë, ai ra në pranga në mesnatë, pasi policia rrethoi gjithë zonën ku ndodhi vrasja.

© Panorama.al

Te lidhura