Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka vendosur që të bllokojë totalisht aksin rrugor Librazhd-Prrenjas, për shkak të urës që po shembet në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”.
Pas vlerësimit në terren, autoritetet vendosën ndalimin e qarkullimit për mjetet e tonazhit të rëndë dhe autobusët por për shkak të përkeqësimit të situatës, është vendosur ndalimi total i çdo mjeti.
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli tha se pas një inspektimi, vendosën bllokimin total të rrugës. Sipas tij, qarkullimi do të mbetet i bllokuar deri në marrjen e një mase provizore me një Bypass në krah të skarpatës që po zhvillohet aktualisht.
“Kemi në mbikëqyrje tashmë prej javësh por gjatë 48 orëve të fundit ka pasur përkeqësim të ndjeshëm, dhe jemi të detyruar të bllokojmë përkohësisht trafikun deri në zbatimin e një mase provizore me një Bypass në krah të skarpatës që po zhvillojmë. Ka një zhvillim të vazhdueshëm në përkeqësim se nga mëngjesi spostimi i urës ishte 27 cm, ndërkohë që aktualisht është 29 cm.
Nga vizita që bëmë poshtë urës, po thërrmohet betoni. Kështu që jemi të detyruar të bëjmë bllokimin total jo vetëm për mjetet e rënda sikurse njoftuam në mëngjes, por edhe për mjetet normale. Sot në orën në mëngjes zhvilluam një mbledhje në mëngjes, dhe konkluzioni ishte ky. Por po verifikonim saktë në terren që të ishte masa e duhur. Ura në këtë moment nuk shfaq absolutisht siguri.”, u shpreh ai.
ARRSH u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që të përdorin aksin Lozhan–Moglicë–Gramsh si rrugë alternative. Megjithatë, drejtuesit e mjeteve që orientohen drejt itinerarit alternativ përballen me një tjetër problematikë, pasi edhe ky aks rrugor ka nevojë për ndërhyrje dhe përmirësim të menjëhershëm.
Ndërkohë, policia, në njoftimin zyrtar për bllokimin e rrugës, thekson se do të lejohen të kalojnë vetëm ambulancat, shërbimet zjarrfikëse dhe mjetet e Policisë. Rrugë alternative për mjetet e vogla do të jetë aksi Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh, në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të njoftimit të dhënë, për qarkullimin e mjeteve në aksin rrugor “Librazhd-Pogradec”, informojmë se do të bëhet bllokimi i plotë i qarkullimit në këtë aks rrugor, deri në një njoftim të dytë. Në zbatim të këtij vendimi:
– Ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve, përfshirë mjetet e tonazhit të rëndë, autobusët dhe mjetet e vogla;
– Pikat kufitare do të njoftojnë dhe orientojnë drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, autobusët dhe mjetet e vogla për të mos vijuar lëvizjen në këtë aks;
– Rrugë alternative për mjetet e vogla do të jetë aksi Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh, në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas.
Do të lejohen të kalojnë vetëm Ambulancat, Shërbimet zjarrfikëse dhe Mjetet e Policisë.
Shërbimet e Policisë janë të pranishme në terren për monitorimin e situatës dhe orientimin e drejtuesve të mjeteve. Apelojmë për mirëkuptim dhe respektim rigoroz të udhëzimeve të dhëna nga strukturat e Policisë.Për çdo emergjencë, qytetarët të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.
© Panorama.al













