Përkeqësohet situata nga reshjet në Qarkun e Elbasanit, përmbyten disa banesë dhe toka bujqësore! Ja zona më problematike

Jan 7, 2026 | 9:42

Reshjet intensive të shiut që mbizotëruar në të gjithë territorin e Qarkut të Elbasanit kanë sjellë pasoja të ndjeshme duke përmbytur banesa, toka bujqësore dhe duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa zona.

elb1

Bilanci paraprak, sipas burimeve zyrtare, flet për 15 banesa të përmbytura, ku 5 prej tyre ndodhen në një bllok banimi zonën e Uzinës së 12-të, pranë ish-Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit, ndërsa të paktën 10 banesa të tjera në Bashkinë Belsh janë përballur me praninë e ujit në ambientet e brendshme.

Autoritetet paralajmërojnë se edhe disa banesa në Bashkinë Cërrik rrezikojnë përmbytje, si pasojë e prurjeve të shumta të kanaleve kulluese.

Sipas informacioneve zyrtare, përmbytja e kateve të para të disa banesave në Elbasan lidhet me bllokimin e kanalit kullues të shkaktuar gjatë punimeve që po kryhen nga firma “Salillari” e cila po punon për ndërtimin e një segmenti të Koridorit të 8-të në këtë zonë.

Në disa raste, ndërhyrja për zhbllokimin e këtij kanali është kryer nga vetë firma, ndërsa në banesa të tjera banorët janë detyruar të ndërhyjnë privatisht.

Albert Muça, banor i fshatit Katund i Ri, tregon se situata e krijuar ishte mjaft e rrezikshme edhe për dhjetra familje të tjera dhe se ujin nga banesa e tij ai e ka larguar vetë, ndërsa dëmet e shkaktuara nga përmbytja kanë qenë të konsiderueshme.

Ndërkohë, përmbytje të tokave bujqësore janë evidentuar në Njësinë Administrative Gjergjan dhe në fushën e Muriqanit, për shkak të bllokimit të kanalit kullues që përshkon zonën, duke vënë në vështirësi fermerët e kësaj zone.

Sa i përket situatës në bashkitë e tjera të qarkut, autoritetet bëjnë me dije se nuk raportohen problematika apo situata emergjente. Akset rrugore, si nacionale ashtu edhe rurale, janë të hapura për qarkullimin e mjeteve. Në aksin nacional Gramsh–Moglicë është shënuar rënie inertesh në rrugë, të cilat janë pastruar në kohë nga firma kontraktuese.

Prurjet e lumenjve Shkumbin dhe Devoll dhe përrenjve malorë aktualisht janë në kuota mesatare dhe nuk paraqesin rrezik.

Problematike mbetet edhe furnizimi me energji elektrike. Gjatë natës janë regjistruar stakime, ndërsa aktualisht janë të stakuar fidri në Njësinë Administrative Përparim (Bashkia Peqin), fidri Klos Mollas (Bashkia Cërrik) dhe Fidri 2 i Nënstacionit Prrenjas. Në total, 514 abonentë në Qarkun Elbasan janë pa energji elektrike.

Grupet e punës ndodhen në terren dhe po punojnë intensivisht për riparimin e dëmtimeve, ndërsa autoritetet sigurojnë se rikthimi i energjisë elektrike do të bëhet në një kohë sa më të shkurtër. Situata vijon të monitorohet nga strukturat përkatëse, ndërsa qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kushteve të motit të keq.

elb1 elbasan5 elbasan4 elb3 elbasan2 pwermbytje elbasan

© Panorama.al

Te lidhura