
Përgjaket fundjava në Shkodër dhe Malësi të Madhe. Dy aksidente, me një distancë kohore prej 2 orësh mes njëri-tjetrit, kanë shënuar 2 të vdekur dhe 6 të plagosur.
Të dyja ngjarjet e ndodhura pasditen e djeshme kanë të njëjtin shkak: humbjen e kontrollit të mjeteve nga drejtuesit e tyre. Në aksidentin e parë, i cili ndodhi rreth orës 16:30, makina ka dalë nga rruga duke fluturuar rreth 100 metra në një arë, bri rrugës nacionale Shkodër-Lezhë. Një automjet me targë AA 710 AF, në të cilin ndodheshin tre persona, si rezultat i humbjes së kontrollit nga shoferi i mjetit, ka dalë nga rruga dhe pasi ka bërë disa herë salto, përfundoi në arë. Për pasojë, ka gjetur vdekjen 40- vjeçari Astrit Hyka, ndërsa është plagosur drejtuesi i mjetit, 39-vjeçari Ilir Vajushi, si dhe shtetasi Lulzim Alija. Këta të fundit kanë marrë plagë të shumta në trup si pasojë e përplasjeve dhe pas dërgimit në spitalin rajonal të Shkodrës, ndodhen në sallën e reanimacionit në gjendje të rëndë. Sikurse bëhet e ditur, që të tre personat që ndodheshin në “Benz” po udhëtonin nga Lezha në drejtim të rrethit Malësi e Madhe, ku dhe banonin. Sapo kanë kaluar territorin e Lezhës dhe kanë hyrë në territorin e Shkodrës, automjeti ka dalë nga rruga dhe ka fluturuar për rreth 100 metra në anë të saj. Menjëherë, në vendngjarje kanë mbërritur uniformat blu, të cilat kanë ndërhyrë, duke nxjerrë të plagosurit nga makina dhe i kanë nisur me shpejtësi për në spitalin rajonal të Shkodrës. Rrugës për në spital ka humbur jetën Hyka, banor i fshatit Vorfë të rrethit Malësi e Madhe. Nuk kishin kaluar 2 orë pas këtij aksidenti, kur rreth orës 18:30 është shënuar një tjetër aksident, por kësaj radhe në rrethin Malësi e Madhe.
Aksidenti i dytë fatal ndodhi në afërsi të fshatit Pjetërshan, në aksin rrugor Shkodër-Hani i Hotit. Një automjet “Ford” me targë Sh 3959 E, drejtuar nga Vasel Miri, në të cilin udhëtonin 4 shtetas, pjesëtarë të së njëjtës familje, është përplasur me një bordurë në anë të rrugës. Për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme 42-vjeçarja Hane Braka, motra e drejtuesit të mjetit, si dhe janë plagosur tre shtetasit e tjerë që ndodheshin në makinë në momentin e aksidentit. Nga hetimet paraprake është arritur në konkluzion që aksidentet kanë ardhur si rrjedhojë e humbjes së kontrollit të shoferëve. Gjithsesi, po punohet nëse kjo ka ndodhur nga shpejtësia, ndonjë defekt në makinë apo probleme të tjera. RITVAN DIBRA
RRUGORËT: VJET, 27 VIKTIMA NË AKSIDENTE
Qarkullimi Rrugor në Shkodër shton masat për të parandaluar aksidentet, ndërsa akset kryesore janë me ngrica. Viti i kaluar shënoi 27 të vdekur nga aksidentet rrugore dhe ky numër mjaft i lartë ka bërë që për vitin e ri të zbatohen masa shtrënguese. Në kohën kur temperaturat në pjesën më të madhe të qarkut të Shkodrës janë nën zero, Policia e Qarkullimit Rrugor është angazhuar edhe në kontrollin e mjeteve për të shmangur aksidentet nga bora apo ngricat.
© Panorama.al











