Perez në alarm, Mourinjo mund të largohet

Nov 9, 2011 | 11:46
Perez dhe Mourinjo

Hoze Mourinjo mbetet trajneri më i lakuar dhe më i përfolur në mediat botërore. Ai përbën lajm në çdo veprim që bën dhe në çdo fjalë që thotë. Edhe kur hesht, ai ka vëmendjen maksimale rreth tij. Së fundi, e ardhmja e tij, ajo çka mund të ketë në mendje portugezi, ka vënë në alarm vetë presidentin e Realit të Madridit, Florentino Perez. Ky i fundit, nga sa zbulon media iberike, është i shqetësuar, sepse ndien që trajneri i tij, Mourinjo, mund të largohet nga kubi merengues në fund të këtij sezoni.  “El Mundo Deportivo” shkruan se Florentino Perez u ka thënë disa të besuarve të tij se trajneri portugez po bëhet gati t’ia mbathë para se kontrata e tij të përfundojë me Realin e Madridit. Madje, presidenti i “Los Blancos” ka shfaqur frikë se Mourinjo mund të largohet që në qershor. Nuk është diçka e re tashmë që sheikët e Paris SG, pas marrjes si drejtor teknik të Leonardos, duan të kenë në krye të skuadrës pariziene portugezin e njohur. Duke besuar se me të mund të ngjiten në majat e futbollit europian. Po kështu, zërat e fundit flasin edhe për një interesim të Anzhit për trajnerin actual të Realit. Ka qenë vetë menaxheri i përkohshëm i Anzhit, Roberto Carlos, ai që ka thënë se klubi i pasur rus është i interesuar në Mourinjon.

© Panorama.al

Te lidhura