Në një raport të ri të OKB-së do të thuhet se Irani është pranë ndërtimit të një bombe bërthamore. Kjo ka nxitur Izraelin të paralajmërojë një sulm kundër Iranit, me të cilin kanë armiqësi të vjetër. Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad, ka deklaruar vite më parë se Izraeli duhet të zhduket nga harta. Tani Presidenti izraelit, Shimon Peres, thotë se një sulm i Izraelit dhe i vendeve të tjera kundër Iranit do të bëhet gjithnjë e më i mundur. “Shërbimet e fshehta kanë paralajmëruar qeveritë e tyre se Irani mund të zotërojë brenda gjashtë muajsh një bombë atomike”, ka thënë Peres në disa intervista. Zyrtarët në Iran i kanë quajtur gënjeshtra këto deklarata dhe kanë paralajmëruar përgjigje kundër çdo synimi për të sulmuar vendin.











