TIRANE – Mbërrin në Gjykatën e Tiranës dosja në ngarkim të një 45-vjeçari, të akuzuar për përdhunimin e një të paralizuare në tetor të vitit 2010 në kryeqytet. Sherif Kovaçi do të gjykohet për akuzën e “marrëdhënies seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”. Dosja me të pandehur 45-vjeçarin është kthyer nga Gjykata e Apelit për rigjykim në shkallën e parë. Pak kohë më parë, Apeli prishi vendimin e 5 majit 2010 të Gjykatës së Shkallës së Parë që e deklaroi “fajtor” Kovaçin dhe e dënoi me 6 vjet burg. Në Gjykatën e Tiranës ai u gjykua në mungesë. Pasi u ekzekutua ky vendim, në tetor të vitit 2010, i pandehuri fitoi të drejtën për të ankimuar vendimin e dënimit në Apel. Në vijim jepet ngjarja për të cilën ai akuzohet, sipas vendimit të gjykatës të datës 05.05.2010. “Në datë 14.10.2008, nëna e të dëmtuarës K.J., pasi e ka dërguar të dëmtuarën tek piceri “Era”, ku kjo e fundit prej 5 vjetësh lyp, është larguar për të mbledhur kanaçe. Rreth orës 13:30 është afruar i pandehuri Sherif Kovaçi, me të cilin e dëmtuara kishte rreth një vit që e njihte. Kjo pasi i pandehuri mblidhte kanaçe në këtë zonë. I pandehuri Sherif Kovaçi i ka thënë të dëmtuarës K.J. se kishte nënën të sëmurë të shtruar në spital dhe i ka kërkuar që të hipte në taksi për ta çuar tek ajo në spital. E dëmtuara K.J. e ka besuar dhe ka hipur në taksinë e porositur nga i pandehuri. I pandehuri Sherif Kovaçi e ka dërguar në një vend të panjohur të dëmtuarën, ku ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Më pas, i pandehuri me një taksi tjetër e ka dërguar në shtëpi të dëmtuarën”, thuhej në vendimin e Shkallës së Parë që dënoi me burg Kovaçin.
DESHMIA
Gjatë gjykimit të parë, e dëmtuara K.J., ka rrëfyer para gjykatës tmerrin e përjetuar. “Më mori duke shtyrë karrocën dhe më hipi në një taksi me ngjyrë të verdhë. Shkuam në një vend. Më zbriti nga makina dhe pasi makina iku, më çoi në një vend tjetër. Filloi të më grisë rrobat dhe, pasi më puthi, kreu marrëdhënie seksuale me mua”, ka dëshmuar në proces K.J.











