
Sot, takimi i 10 partive. Meta, Idrizi, Mediu, Gjinushi, Dule e Milo, me qëndrime të përbashkëta ndaj të mëdhenjve.
Partitë e vogla brenda dhe jashtë Parlamentit do të takohen për propozimet e tyre për Reformën Zgjedhore.
Partitë e vogla opozitare dhe të maxhorancës do të dalin sot me një qëndrim të përbashkët për reformën zgjedhore. Dhjetë kryetarë partish, Paskal Milo, Skënder Gjinushi, Petro Koçi, Nard Ndoka dhe Vangjel Dule nga opozita dhe Ilir Meta, Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Eqerem Spahiu dhe Arjan Starova do të nënshkruajnë sot një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës do t’u kërkojnë dy partive të mëdha, PS dhe PD, që të marrin parasysh kërkesat e tyre në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore që pritet të nisë nga puna këtë javë. Në orën 11:00, krerët e 10 partive politike do të takohen në hotel “Tirana”, ndërsa të gjithë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. Të gjitha partitë e vogla në një zë kërkojnë korrektim të sistemit zgjedhor, në proporcional kombëtar, për të bërë të mundur numërimin e të gjitha votave si të vlefshme në të gjithë vendin. Gjithashtu ato do të kërkojnë të jenë pjesë e administrimit të zgjedhjeve, në të gjitha nivelet e komisioneve zgjedhore, për sa kohë që këto komisione do të jenë propozime të partive politike. Për të shmangur tjetërsimin e votave të tyre nga dy partitë e mëdha në procesin e numërimit të votave, partitë e vogla do të kërkojnë votim dhe numërim elektronik të votave, gjë që do të shmangte vullnetin politik të dy forcave kryesore politike. Duke e parë veten jashtë ndikimeve financiare, partitë e vogla kërkojnë transparencë të financimeve të partive politike gjatë fushatave zgjedhore. Gjithashtu ata e konsiderojnë padrejtësi kapjen e kohës më të madhe televizive të dy partive të mëdha gjatë fushatave zgjedhore dhe do të kërkojnë që të rishiten kriteret e përcaktimit të kohës televizive. Ndërkohë komisioni i posaçëm parlamentar i reformës zgjedhore pritet të nisë nga puna këtë javë me pjesëmarrjen e të gjitha partive parlamentare. Pas votimit të tij në Kuvend me konsensus të plotë të të gjitha palëve, ai do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, Ilir Rusmali dhe Damian Gjiknuri, ndërsa në të do të marrin pjesë dhe LSI, PR dhe PBDNJ. PS është angazhuar se do të përfaqësojë të gjitha kërkesat e partive aleate opozitare, të cilat kanë depozituar kërkesat e tyre. Sipas PS, edhe kërkesa për ndërhyrje në sistemin zgjedhor do të hidhet për diskutim në tryezën e komisionit parlamentar.
Kërkesat e partive të vogla
. Korrektim kombëtar i sistemit zgjedhor
. Pjesëmarrje të partive të vogla në administrimin e zgjedhjeve
. Votim elektronik dhe numërim elektronik i votave
. Transparencë të financimeve të partive politike në zgjedhje
. Rregullim të hapësirave televizive për partitë e vogla në fushatat zgjedhore
ARISTIR LUMEZI
Ligjet do diskutojnë sot Kodin Rrugor, pas kërcënimit të opozitës për prishjen e marrëveshjes.
Kodet, sot prova e paktit PS-PD
Opozita: Kodi Rrugor, jo vetëm me mendimet e qeverisë
Komisioni i Ligjeve do të vijojë sot diskutimin për ndryshimet e miratuara nga qeveria për Kodin Rrugor. Diskutimi i këtij ligji nisi të hënën e kaluar, por në atë mbledhje, nënkryetari socialist i këtij komisioni, Fatmir Xhafaj, kërkoi që debati për ligjet me 3/5-at të mos bëhet me shpejtësi dhe ligjet të shqyrtohen duke marrë parasysh edhe mendimet e grupeve të interesit. Megjithatë, nga e hëna e kaluar deri sot, gjërat nuk janë njësoj. Në mesjavë, Partia Demokratike zgjodhi me votat e saj kryetarin e Këshillit të Qarkut në Fier, çka sipas socialistëve ishte e manipuluar, për shkak se në një votim të mëparshëm ishte zgjedhur përfaqësuesi i opozitës. Debati për Qarkun e Fierit zbriti të enjten edhe në Parlament, ku kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i kërkoi maxhorancës të tërhiqet nga marrja me forcë e këtij institucioni. Në të njëjtën ditë, edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shpërndau një deklaratë për mediat, ku kërcënoi me prishjen e marrëveshjes politike, nëse demokratët nuk do të njohin votimin e parë të zhvilluar në Fier. “Duke mos i hequr asnjë presje deklaratës së sotme në Kuvend të kryetarit të Grupit Parlamentar socialist, rikonfirmoj në emër të opozitës vullnetin për të respektuar çdo germë të marrëveshjes për tri çështjet e dakordësuara me palën tjetër, por rinënvizoj shqetësimin se asnjë hap s’do mund të bëhet më tutje për ligjet me tre të pestat, nëse ligji do të vazhdojë të shkelet në mënyrë flagrante për të grabitur ditën për diell mandatet tona për qarqet Fier e Gjirokastër”, theksoi kreu i PS-së, Edi Rama, në një deklaratë të shpërndarë për mediat. Sipas tij, “Integrimi europian s’është farsë ligjvënieje, po vullnet ligjzbatues dhe, nëse ky vullnet mungon e mungon përsëri, opozita s’mund të gënjejë as popullin, as vetveten për t’u rigjendur e rivjedhur përsëri e përsëri në votat e saj”. Pas kësaj deklarate të kreut të opozitës, sot është dita e parë kur maxhoranca dhe Partia Socialiste do të diskutojnë një ligj që kërkon shumicë të cilësuar. Ndonëse diskutimi i Kodit Rrugor nisi para një jave, mbetet për t’u parë se cili do të jetë sot qëndrimi i Partisë Socialiste dhe a do t’i japë ajo votat për miratimin e këtij ligji, pavarësisht ngjarjeve të ditëve të fundit në qarkun e Fierit. Nga ana e tyre demokratët nuk janë shprehur ende zyrtarisht mbi qëndrimin e fundit të opozitës. Megjithëse ishte i pranishëm në seancën parlamentare kur Gramoz Ruçi foli për situatën në qarkun e Fierit, kryeministri Sali Berisha nuk replikoi për asnjë moment me kreun e Grupit Parlamentar socialist. Në mbledhjen e sotme pritet që opozita të kërkojë që Ministria e Transporteve të ccojë në Kuvend të gjitha ndryshimet e Kodit Rrugor, përpara se ai të miratohet. Gjatë ditëve të fundit Fatmir Xhafaj, Eduard Shalsi dhe Dashamir Peza kanë zhvilluar takime me specialistëve të fushës për tu konsultuar për ndryshimet në ligj.
Kalendari: Kodi Rrugor miratohet më 1 dhjetor
Kalendari i miratuar me konsensus mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për rishikimin e ligjeve me shumicë të cilësuar ka parashikuar që Kodi Rrugor, i cili do të diskutohet sot në Komisionin e Ligjeve, të miratohet në seancën parlamentare të 1 dhjetorit. Sipas këtij kalendari është vendosur që në seancën e së enjtes, e cila sipas të gjitha gjasave do të zhvendoset për të premten, të miratohen ndryshimet në Kodin Detar. Në mbledhjen e fundit të Parlamentit me votat e dy forcave kryesore politike, por edhe të partive të vogla u miratuan ndryshimet në Kodin Hekurudhor dhe atë Ajror. Ndërkohë, me fillimin e Parlamentit, në muajin janar do të miratohen edhe ndryshimet në Kodin Penal dhe atë Civil.
Komisionet, sot debati për buxhetin
Komisionet parlamentare do të nisin sot debatin për diskutimin në parim të projektbuxhetit të vitit të ardhshëm. Pasi u miratua në Komisionin e Ekonomisë, drafti do të shqyrtohet edhe te Ligjet, Integrimi, Komisioni i Sigurisë, Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese dhe ai i Mediave. Në Komisionin e Ligjeve sot është parashikuar që të zhvillohen seanca dëgjimore me Ministrinë e Drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Zyrën e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Kreu i këtij komisioni, Ilir Rusmali, u ka kërkuar përfaqësuesve të këtyre institucioneve që të përgatisin një prezantim jo më të gjatë se 10 minuta, për të përfunduar në një kohë sa më të shpejtë diskutimin e buxhetit. Në orën 10:00 në Komisionin e Integrimit, sipas rendit të ditës, është ftuar të mbrojë buxhetin ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Ndërkohë, në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, në rendin e ditës është parashikuar që të diskutohet buxheti i Ministrisë së Brendshme dhe ai i Shërbimit Informativ Shtetëror. Komisioni i Veprimtarive Prodhuese do të diskutojë në orën 11:00 buxhetin e Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Transporteve, Ministrinë e Bujqësisë dhe atë të Mjedisit. Në të njëjtën kohë, Komisioni i Edukimit dhe Mediave do të diskutojë fondin e dhënë nga qeveria për RTSH-në dhe Akademinë e Shkencave. ADI SHKEMBI











