Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, tha sot se për të pasur një reformë territoriale cilësore janë të gjitha kushtet, por vendimi duhet të jetë bipartizan nga të dyja palët, sepse “për të kërcyer tango duhen dy”.
Gjatë konferencës për shtyp që mbajti sot nga selia e ekzekutivit, për “nismat, arritjet dhe sfidat e pushtetit vendor”, ku preku tematika të ndryshme, kryesisht rolin e Bashkive në procesin teknik të integrimit në BE, mbylljen e grupkapitujve dhe sezonin turistik, ai u përgjigj edhe për punën e Komisionit të Reformës territoriale, nëse do arrihej në kohën e duhur dhe a do prodhonte cilësi.
“Unë besoj se ne nuk kemi pse negociojmë mes kohës dhe cilësisë. Besoj se kemi kushtet e duhura për reformë cilësore. Por kjo sigurisht nënkupton qasje konstruktive nga të gjitha palët. Jemi në muajin mars, Komisioni është ngritur në muajin tetor, me të njëjtën metodologji mund të humbasim edhe 4 muaj të tjerë, mund të shkojmë edhe deri në 2031. Kushtet janë të atilla, që ne të kemi reformë cilësore, qasja është e qartë, duam të ndërtojmë një sistem për menaxhim sa më të mirë të territorit”, tha ministri.
Sipas Demos, palët janë të gatshme të plotësojnë çfarë kërkuan kur Komisioni u ngrit dhe se kjo ishte java e fundit për dakordësinë, ku një çështje divergjencash politike kanë qenë dëgjesat për Reformën. Ai shtoi se “për të kërcyer tangon duhen dy”, pasi ndryshe do të ishte një “breakdance”.
Dhe nëse ky proces do zvarritej siç është bërë deri tani, për të nuk është e vështirë që të kuptohet se mungon qëllimi i mirë.
“Palët të jenë të gatshme të plotësojnë çfarë kërkuan kur u ngrit ky Komision, ku të bashkëdrejtohej, ku asnjë palë nuk bënte dot pa tjetrën dhe kështu me radhë. Për të kërcyer tango duhen dy, ne jemi të hapur patjetër, roli i qeverisë dhe unë jemi të gatshëm për të ndihmuar dhe informuar Komisionin, çfarë duhet të kemi në konsideratë gjatë procesit. Por kjo është një çështje që vetëm Komisioni e çon para, brenda tij kemi njerëz me kapacitetet, me eksperiencë, që janë të aftë për ta çuar përpara. Nëse ka qëllim të mirë, reforma bëhet. Por nëse kalojmë në proces që kalojmë në situate që e ngadalësojmë procesin, patjetër që e vonojmë dhe është një strategji jo e vështirë për të kuptuar”, vijoi kreu i Pushtetit Vendor.
Dhe për të vijuar argumentin e tij shtoi se kjo ishte java e fundit, duke nxitur palët që të dakordësoheshin në proces dhe nëse do të donin ndihmën e Qeverisë, ajo ishte e gatshme të kontribuonte.
Përsa i përket dëgjesave për Territorialen, pikë e nxehtë e debatit mes PD dhe PS, Demo sugjeroi se do të ishte mirë që ato të bëheshin në terren tek qytetarët.
“Kjo javë besoj se është java e fundit që Komisioni të marrë vendim dhe të përcaktojë në mënyrë bipartizane, do e përcaktojë vetë. Unë besoj se seancat dëgjimore janë të nevojshme dhe të rëndësishme të bëhen në territor, pranë qytetarit, nuk ka pse qytetari të vij me autobus në Tiranë. Por gjithsesi i takon Komisionit për të vendosur metodologjinë. Besoj se i kanë të gjitha instrumentet në dispozicion për ta çuar përpara Reformën Territoriale. Komisioni duhet të eci dhe duhet të trajtojë të gjitha këto tema që kanë edhe ndjeshmëri dhe të prodhojë një produkt që uroj të jetë bipartizan dhe të përqafohet nga të gjitha palët”, përfundoi ai.
Demo: Objektiv integrimi në BE dhe mbyllja e negociatave, Bashkitë rol të rëndësishëm! Gati për sezonin turistik
Ministri për Pushtetin vendor, Ervin Demo, gjatë konferencës me gazetarët shpjegoi se Bashkitë kanë rol thelbësor në procesin e mbylljes së grupkapitujve për integrimin e vendit në BE më 2030 dhe mbylljen e negociatave më 2027.
Por ai pranoi se procesi ishte i vështirë dhe se sfida nuk ishte vetëm e qeverisë dhe institucioneve, por e të gjithë shqiptarëve.
“Objektivi ynë është procesi i integrimit dhe mbyllja e grupkapitujve për arritjen e mbylljes së negociatave në vitin 2027. Ka një tsunam procesesh dhe vendimesh edhe nga bashkitë në vend për të plotësuar, në kuadër të procesit të integrimit evropian. Kemi një realitet të ri me të cilin do ballafaqohemi, po vjen shumë shpejt, kërkon shumë energji, edhe nga institucionet lokale, që të jenë të gatshme të ngrihen në nivel tjetër, por edhe ne të jemi të gatshëm që t’i ndihmojmë. Kjo është sfidë e përbashkët, nuk i përket një sektori, por e shoqërisë shqiptarë sepse prek çdo qelizë të saj, sektorin privat dhe të gjitha fushat. Nuk është vetëm për qeverinë, shtetin apo bashkinë, por për të gjithë. Nuk është sfidë e lehtë, duhet ta pranojmë , por kemi qasjen e duhur. Roli i Bashkive është i rëndësishëm përsa i përket përfitimeve që do ketë Shqipëria nga bashkimi Evropian, siç janë fondet e kohezionit, që përqendrohen tek institucionet lokale”, tha ai.
Më tej shpjegoi se shumë programe të Bashkive financohen nga BE dhe shumë të tjera janë në proces nëse arrihen objektivat. Por gjithçka duhet të bëhet në mënyrën e duhur, pasi ka edhe probleme që duhen zgjidhur.
Gjithashtu vëmendje ministri i kushtoi edhe pyetjeve që lidheshin me sezonin turistik.
“Kemi shumë programe që financohen nga Bashkimi Evropian. Dhe çdo institucion që përfiton, duhet të plotësojë standardet që BE kërkon. Përsa i përket sezoni turistik, ai nuk ndalon dhe kjo është gjë shumë e mirë. Sezoni nuk ndodh vetëm në tre muajt e verës, bashkitë janë në aktivitet dhe qeveria vazhdon që t’i mbështesë ato. E pranojmë që nuk jemi në lartësinë e duhur, ka ende probleme dhe ne do kërkojmë t’i zgjidhim. Jemi në kontakt për një model të qëndrueshëm përsa i përket mbetjeve në të gjithë pjesën e territorit, si me bashkitë, ashtu edhe me Ministrinë e Mjedisit”, tha Demo.
Ai theksoi se një ndër problematikat kryesore në vend është çështja e mbetjeve, që nuk është vetëm sfidë urbane, por edhe institucionale.
Demo nënvizoi se katastrofat natyrore krijojnë vështirësi, por duhet një punë e madhe nga të gjithë faktorët për të arritur zgjidhjet për një sezon turistik të suksesshëm, deri në sigurimin e infrastrukturës rrugore të dëmtuar nga moti i keq.
“Ne e kemi kuptuar sikur është detyrim i zonave urbane, por nuk është kështu. Ne duhet të garantojmë mbulimin e territorit nga bashkitë. Kemi rastin e reshjeve për shembull dhe grumbullimin e mbetjeve, dherave etj., ndaj kërkon mbulimin e të gjithë territorit, pra mbulimin 100% të territorit. Por nuk ka zgjidhje të thjeshtë, se ndrysh do ishte zgjidhur. Bashkitë duan ta shtrijnë shërbimin, por kjo ka edhe një faturë. Sa i përket sezonit, të gjitha bashkitë kanë nisur aksionin për pastrimin e plazheve, liqeneve, lumenjve dhe është në proces”, vijoi ministri.
Në fund ai njoftoi nisjen e punës për përgatitjen e sezonit të ri turistik, me aksionet e pastrimit të plazheve në bregdet dhe jo vetëm.
“Bashkitë kanë tani një rol më të madh të menaxhimit të plazheve dhe në administrimin e të ardhurave, tarifat që do ofrohen, rol që tashmë bashkitë janë duke e luajtur dhe në zonën bregdetare është duke ecur shumë mirë. Pati edhe sfida për shkak të sezonit të reshjeve, por duhet të jemi të gatshëm edhe përsa i përket infrastrukturës rrugore, sepse janë të rëndësishme në sezonin turistik. Ka paketa ku do përfshihen dhe muzetë, si dhe administrimi i punëve bashkë me aktorët e tjerë, si Ministria e Kulturës, Mjedisit, për të qenë sezon sa më i suksesshëm”, përfundoi ministri.
© Panorama.al












