Kryetari i Partisë Demokratike deklaroi sot (27 mars) gjatë një takimi që mbajti me Departamentin e Çështjeve Sociale në selinë blu, se vendosja e minimumit jetik në Shqipëri është çështje emergjence dhe se opozita zotohej që ta realizonte bashkë me rritjen e madhe të rrogave dhe pensioneve.
Ndërsa mbajti fjalën e tij para të pranishmëve, duke deklaruar se PD ka një program social dhe ekonomik, lideri i opozitës vuri në dukje se mazhoranca qeverisëse ka harxhuar miliarda euro gjoja për investime, por që në realitet janë vjedhur, kurse qytetarët shqiptarë varfërohen.
Ai premtoi se sapo PD të vijë në pushtet, do realizojë këto tre pika kryesore; minimumi jetik, rrogat dhe pensionet.
“Minimumi jetik i jep zgjidhje përfundimtare, ose të themi zhdukje të varfërisë ekstreme në Shqipëri. Minimumi jetik do shoqërohet me rritje të madhe të rrogave dhe pensioneve. Kur mendon se janë shpenzuar apo shpenzohen miliarda e miliarda euro në thonjëza për investime, por në fakt shumica e tyre vidhen. Ndaj e kemi thirrur këtë tryezë, për të biseduar për këtë çështje kaq të rëndësishme, si pjesë e programit tonë”, u shpreh Berisha.
Më tej ai theksoi se Rama i diskriminon shtresat sociale, përfshi edhe pensionistët, pasi i mashtron, duke bërë krahasimet me vendet e rajonit që indeksojnë realisht pensionet dhe rrisin rrogat.
Ndaj e cilësoi çështje emergjente minimumin jetik
“Për Ramën nuk ekzistojnë pensionistët në Shqipëri, i ka si qytetarë vetëm për t’i mashtruar. Nuk ekzistojnë ata që numërojnë kafshatën. Në këtë kuadër minimum jetik jep një përgjigje për përjashtimin real të shqiptarëve nga shoqëria. Le të qëndrojmë të vendosur për të përmbysur këtë shpërndarje të të ardhurave, e konsiderojmë emergjencë vendosjen e minimumit jetik. Ne nuk besojmë se nëpërmjet indeksimit, përkundrazi rrogat dhe pensionet duhet të njohin rritje të mëdha të vazhdueshme”, vijoi kreu i selisë blu.
Sipas tij, më shumë se 40% e popullsisë vuan nga varfëria dhe përballet me probleme sociale, ndërsa çmimet janë më të lartat në Evropë.
“Ne së bashku debatojmë për një problem i cili intereson jetën e më shumë se 40% të shqiptarëve. intereson kafshatën, shëndetin, e gjysmës së popullatës në këtë vend. Shqipëria ka një situatë dramatike në raport me shpërndarjen e të ardhurave, ka një situatë dramatike në raportin e rrogave me çmimet, ka një situatë, është vendi i vetëm që nuk ka të përcaktuar një minimum jetik. Ndërkohë, ndërkohë çmimet në këtë vend janë 10, gjer në 17, 20% më të larta sesa mesatarja e çmimeve në vendet e Bashkimit Europian. Faktikisht, nuk ka një vend tjetër me jetë të papërballueshme siç është Shqipëria. Zhvillimet e këtyre 12, 13 viteve të fundit i shndërruan shqiptarët nga qytetarët me rrogat dhe pensionet më të larta në rajon, në qytetarët me rrogat dhe pensionet më të ulëta në rajon”, tha Berisha.
Por kjo situatë kritike vjen edhe si rezultat i abuzimeve të mëdha financiare, nëpërmjet zhvatjes së pasurive publike dhe fondeve të buxhetit.
“Rrogat dhe pensionet në Shqipëri, përveç se disa kategori, e vërteta është që nuk ndoqën as indeksimin e çmimeve. Rrogat dhe pensionet, pavarësisht nga ndërhyrjet e shpallura, sot janë më të ulëtat në rajon. Në rast se bëjmë një krahasim gjejmë se në këtë hark kohor ato janë katërfishuar. Ato janë trefishuar sipas vendit. Kurse në Shqipëri nuk ka njohur as dyfishim po të kemi parasysh indeksin e çmimeve. Faktor më themelor i kësaj rrokullisje të madhe të gjendjes së financave, të gjendjes ekonomike të familjeve shqiptare, është korrupsioni. Është vjedhja e papërmbajtur e pasurive, e fondeve publike dhe pasurive publike në këtë vend”.
Kryedemokrati Berisha mori për analogji ekonomike edhe vendin fqinj, Greqinë.
“41% është rritur nga viti 2022 në 2026 rroga minimale në Greqi dhe është rreth 940 euro, pra çdo vit e rrisin me mbi 10%. Të tjerë që i kanë pasur më të ulëta, i kanë rritur me 25%. Vrapi për të dalë nga varfëria është vrapi më i drejtë, detyrimi më madhor për një qeveri. Ndaj le të shkëmbejmë mendime për këtë çështje jetike të shoqërisë shqiptare”, përfundoi ai, duke i hapur vendin diskutimeve mes të pranishmëve dhe dëgjesës me ta.
© Panorama.al












