Presidenti: Fiksohet ora, Rama me Berishën e Metën

Jun 10, 2012 | 11:52

Berisha, Rama, Ruçi dhe Patozi në takimin e një jave më parë

Tryeza për emrin sot në 19:00 në Kuvend, ja detajet. 30 minuta më parë Berisha ulet me krerët e maxhorancës.

Kryeministri Berisha dhe kreu i opozitës Edi Rama do të takohen sonte në orën 19:00 te Kryesia e Kuvendit. Përpjekja e dytë për një President konsensual mes Ramës dhe Berishës vjen një javë pas takimit të parë, i cili ishte pa rezultat. Nga ai takim, ku Berisha nuk u tërhoq nga kandidati i maxhorancës, Zaganjori dhe opozita nuk propozoi asnjë emër përballë tij, Parlamenti konsumoi dy raunde pa asnjë kandidat. Formati i takimit të sotëm, ndryshe nga ai i takimit të parë do të ketë dhe Ilir Metën si pjesë të tryezës, ndërsa Rama do të shoqërohet nga Gramoz Ruçi dhe Berisha nga Astrit Patozi. Sot është takimi që ndoshta do të përcaktojë nëse Presidenti do të zgjidhet me më shumë se 84 vota, apo me 71 vota. Kryeministri Berisha do të takohet në 18:30 po në Kryesinë e Kuvendit me aleatët e tij të koalicionit qeverisës, Meta, Idrizi dhe Alibali, nënkryetar i Partisë Republikane. Berisha do të konsultohet në telefon me kreun republikan, Fatmir Mediu, për shkak se ai ndodhet në Itali, ndërsa në tryezë PR do të përfaqësohey me Neritan Alibalin. Në përpjekjen e dytë mes Ramës dhe Berishës do të shohim nëse takimi i së dielës mbrëma do të nxjerrë një produkt konkret dhe të pranuar nga palët, jashtë bisedave teorike rreth modaliteteve dhe procedurave.
Negociatat
Takimi i Kryeministrit Berisha me Ramën dhe me aleatët e tij vjen vetëm pak orë para zhvillimit të raundit të katërt për zgjedhjen e Presidentit, i cili është vendosur të zhvillohet ditën e hënë në orën 10:00. Rihapja e tryezës së negociatave erdhi pas tërheqjes nga gara të kandidatit të dakordësuar të maxhorancës, Xhezair Zaganjori, i cili i trysnuar nga akuzat e opozitës preferoi të ndjekë jetën e tij akademike në jurisprudencë. Pas kësaj tërheqjeje, u rrit shpresa se mund të arrihet në një emër të gjithëpranuar, por pasi të jetë përcaktuar identikiti i presidentit të ri. Si maxhoranca, ashtu edhe opozita u shprehën të gatshme që në këtë moment të procesit parlamentar të zgjedhjes së Presidentit të mund të arrihet konsensusi për emrin. Madje, pak para tërheqjes nga gara të Zaganjorit, gjatë zhvillimit të raundit të tretë, vetë kreu socialist tha se ishte shumë afër me maxhorancën në gjetjen e një kandidati konsensual. Gjatë pasdites së djeshme, kreu i Grupit Parlamentar socialist, Ruçi dhe ai demokrat, Patozi, kanë kontaktuar mes tyre për të përcaktuar modalitetet e takimit të sotëm dhe pikat mbi të cilat palët do të diskutojnë për të ngritur një staturë konsensuale të Presidentit, për të shkuar në fund tek emrat e përveçëm. Mësohet se në takimin e dytë mes tyre, pasi kanë “shkrirë” marrëdhënien e tyre të vështirë, Rama dhe Berisha do të flasin konkretisht, pasi përballë nuk kanë më një emër që mund të vështirësojë negocimin. Gjithashtu, mësohet se Rama do të shkojë në këtë takim me emra që do të jenë të fushave të ndryshme, propozim që ka ardhur dhe nga disa anëtarë kryesie, që kanë kërkuar kandidatura si politike, ashtu dhe nga fusha të tjera të shoqërisë civile, apo dhe jurisprudencës.

Aleatët
Kryesocialisti zhvilloi një takim me aleatët e tij të koalicionit opozitar, por pa diskutuar për emra të përveçëm. Ndryshe nga Berisha, i cili aleatët i ka përfaqësues në Parlamentin e Shqipërisë dhe me të cilët do të konsultohet për emrin e ri të kandidatit, Rama vetëm sa ka folur me aleatët e tij për procesin e deritanishëm, por nuk përjashtohet mundësia që ndonjë prej tyre të jetë edhe në listën e tij për kandidat.

Kryesia e Grupit të PS
Para takimit të pasdites me Sali Berishën, Rama pritet të mbledhë Kryesinë e Grupit Parlamentar, me të cilët do të diskutojë emrat e propozuar nga deputetët socialistë. Një javë më parë, Rama u kërkoi deputetëve të tij të propozonin emrat që ata mendonin se mund të ishin kandidatë për President nga PS, ndërkohë që deputetët nisën përmes adresave elektronike të tyre, por dhe SMS nga celularët emrat që ata vlerësonin si kandidatë të mundshëm. Këta emra pritet të diskutohen dhe të klasifikohen sipas profilit të tyre, politik, juridik, apo dhe ushtarak.

Nano hesht pas 10 ditë deklaratash
Kandidati i vetëshpallur për garën presidenciale, Fatos Nano, duket se ka zgjedhur heshtjen në situatën e re politike të krijuar pas tërheqjes nga gara të Xhezair Zaganjorit. Ndryshe nga çdo ditë tjetër, të paktën për 10 ditët e fundit, zyra e shtypit e lëvizjes “Nano për President” nuk shpërndau asnjë njoftim të qëndrimit apo aktiviteteve të ish-kreut socialist. Por, mësohet se Nano edhe dje ka vijuar takimet me aktorë dhe faktorë të rëndësishëm të politikës dhe diplomacisë në vend, me të cilët ka shkëmbyer mendime rreth zhvillimeve të ardhshme kur zgjedhja e Presidentit ka mbërritur në raundin e katërt dhe të pestë. Por, duket se faktori ndërkombëtar në Tiranë po lëviz dy ditët e fundit për të arritur më në fund në një kandidat konsensual e të gjithëpranuar. Negociatat e sotme do të tregojnë nëse ky objektiv do të arrihet apo jo.

Meta: Nuk e përjashtojmë Nanon si kandidat

Kreu i LSI, Meta

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ,Ilir Meta, tha dje se nuk paragjykon emrin e Fatos Nanos për President. I pyetur dje nga “Panorama”, Meta tha se “nuk e përjashton Nanon si kandidat për President”. Gjatë një komunikimi me gazetarët, Meta deklaroi se LSI nuk paragjykon asnjë emër. “LSI nuk ka përjashtuar asnjë emër, sepse nuk paragjykon askënd. Lëvizja Socialiste për Integrim është investuar që në fillim të këtij procesi dhe do të investohet deri në fund për një proces kushtetues dhe për një President sa më konsensual”, pohoi kreu i LSI-së. Meta theksoi gjithashtu se LSI-ja nuk i ka përjashtuar në asnjë rast emrat politikë për t’u zgjedhur si kryetar shteti. “Nuk janë përjashtuar emrat politikë për arsye të paragjykimeve ndaj politikanëve të caktuar, por është bërë një përpjekje për emra dhe profile që mund të gjenin më lehtë konsensusin, pasi e theksoj që Shqipëria ka politikanë dhe politikane që mund ta realizojnë shumë mirë detyrën e Presidentit të Republikës, por konflikti politik që kemi pasur, sidomos gjatë viteve të fundit, e ka bërë të vështirë gjetjen e konsensusit për emra politikë. Nëse kjo gjë do të ishte e mundur, përse jo. Megjithatë ,do të tentohet ajo që është më e rëndësishmja, për emra sa më konsensualë”, theksoi Meta. Pas tërheqjes së kandidatit Xhezair Zaganjori nga gara presidenciale, kryetari i LSI-së deklaroi dje se duhet zhvilluar një tryezë e dytë e nivelit të lartë midis Kryeministrit Berisha dhe kryesocialistit Rama, për gjetjen e një emri konsensual. Gjatë një prononcimi për mediat, Meta ka lëshuar tone kritike për qëndrimin e kreut të opozitës për të mos pranuar me çdo kusht emrin e Xhezair Zaganjorit dhe duke i quajtur kapriço që duhet të marrin fund. Kreu i LSI-së pohoi se dita e diel është një mundësi që nuk duhet shpërdoruar nga partitë politike për të “kurorëzuar” një emër konsensual pas votimit në raundin e katërt që do të zhvillohet ditën e hënë. “Ndaj, theksoj rëndësinë edhe të një takimi tjetër të nivelit më të lartë, të z. Berisha dhe të z. Rama, një format që ata do ta gjykojnë të arsyeshëm dhe të pranueshëm, deri ditën e nesërme, në mënyrë që gjatë këtyre 48 orëve të arrijmë një konsensus, i cili natyrisht që nuk do të jetë i lehtë, por që nuk është i pamundur”, deklaroi Meta.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura