Qeveria po parashikon dy ndryshime thelbësore të skemës së pensioneve. Bashkë me Bankën Botërore po parashikohet reformimi i gjithë ligjit. Burime nga ISSH dhe Ministria e Financave tregojnë detajet e diskutimeve dhe variantet e mundshme për reformën që prek direkt të gjithë të punësuarit dhe ata që do të dalin në pension në periudhën e afërt dhe të mesme. Në të gjitha variantet synohet rritja e të ardhurave të ISSH-së, rritja e pagesave nga ata që janë të punësuar dhe rritja e moshës për të dalë në pension.
Situata
Aktualisht paratë që mblidhen nga kontributet nuk mjaftojnë për të paguar pensionet dhe përfitimet e tjera që ndan ISSH. Buxheti i shtetit detyrohet të paguajë rreth 100 milionë USD në vit për të bërë të mundur pagesat mujore të 540 mijë përfituesve. Reforma e vitit 2002, e cila parashikoi rritjen e moshës së daljes në pension nga 60 vjeç në 65 për burrat dhe nga 55 në 60 për gratë, mbaroi dhe në vitin 2012 pritet një rritje e ndjeshme e numrit të pensionistëve. Në një intervistë për gazetën, drejtoresha e ISSH-së theksonte se nga 12 700 pensionistë që dalin në pension gjatë këtij viti, në vitin 2013 parashikohet të dalin 17 100 persona. Kostoja shtesë për këtë rritje prej 4400 pensionistësh është 6.7 milionë USD. Kjo situatë e bën të domosdoshme ndërhyrjen në skemën e pensioneve. Dhe ndërhyrja parashikohet në tri mënyra.
Varianti i parë
Qeveria parashikon që të ndryshojë formulën e përfitimit të pensionit. Me ligjin aktual, pensioni llogaritet sa 75% e pagës më të lartë që i punësuari ka marrë gjatë 10 viteve të fundit të punës. Por ligji parashikon që ky pension nuk duhet të kalojë më shumë se dy pensione minimale. Pra ka vendosur një tavan. Aktualisht pensioni minimal është 11 117 lekë në muaj dhe maksimali është 22 234 lekë në muaj. Kjo bën që një person që ka një pagë prej 30 mijë lekësh në muaj dhe paguan kontribute, të marrë një pension maksimal. Po këtë pension e merr edhe një person që paguan kontribute për një pagë prej 88 mijë lekësh në muaj apo 150 mijë lekë në muaj.
Në vitin 2002, në marrëveshje politike u vendos një tjetër kusht. Pagesa e kontributeve bëhet në raportin 1 me 5. Pra, maksimumi i pagës që paguan kontribute të detyrueshme për pension është pesë herë më e lartë se sa paga minimale që paguan sigurime të detyrueshme. Qartësisht skema dekurajon deklarimin real të pagës, sepse paguhet me detyrim deri në pesë herë sa paga minimale dhe përfitohet maksimalisht deri në 2 herë sa pensioni minimal. Kjo është pika e parë e reformës që po bën gati qeveria, ndryshimi i raportit të përfitimit. Pra tavani i pagesës së pensionit të mos jetë më sa 2 herë pensioni maksimal, por të ndryshojë në rritje. Parashikohet ndryshimi i ligjit dhe vendosja e një tavani të paktën deri në tri herë sa pensioni minimal. Kjo do të sjellë rritjen e interesit për deklarimin real të pagës. Ky hap mendohet të bëhet duke ndryshuar edhe vendimin për llogaritjen e pagës më të mirë të 10 viteve të fundit. Mendohet heqja e kësaj klauzole dhe parashikimi i mesatares së përgjithshme të pagës për të nxjerrë pensionin.
Varianti i dytë
Ky ndryshim i skemës nuk pritet të ulë numrin e përfituesve, një nevojë urgjente e qeverisë. Për të ndryshuar numrin e përfituesve duhet të zgjatet mosha e punës. Banka Botërore dhe qeveria po diskutojnë për zgjatjen e moshës së punës nga 3 deri në 5 vite. Kjo reformë mendohet të shtyjë të paktën për 6 vite rritjen e numrit të përfituesve. Rritja e moshës pritet të bëhet në konsensus me opozitën dhe do të llogaritet me nga 6 muaj në çdo vit. Pra ata që duhet të dalin në pension në moshën 65 vjeç më 1 janar, dalin më 30 qershor. Sidoqoftë, kjo reformë do një konsensus të madh me opozitën dhe është në varësi edhe të variantit të parë, rritjes së përfitimeve. Pra, qeveria kërkon rritjen e moshës së punës, por të ndërthurur me rritjen e përfitimeve.
Varianti i tretë
Reforma e tretë është sistemi trekolonësh. I kërkuar nga Banka Botërore prej më shumë se tri vitesh, mendohet se ky ndryshim do të jetë çelësi i të gjithë sistemit të pensioneve. Sistemi ndahet në tri shtylla ku do të mbështetet sigurimi i të punësuarve. Shtylla e parë është ajo shtetërore. Nga 25.5% e pagës që paguhet sot për të siguruar pensionet, më shumë se gjysma do të shkojë për skemën shtetërore. Shteti garanton me këto kontribute pensionin për çdo të punësuar. Kolona e dytë është private, por e detyrueshme. Pjesa tjetër e kontributeve shkon me detyrim në një kompani private që licencohet për sigurimet e pensioneve. Këto kompani i investojnë paratë që paguajë të punësuarit dhe garantojnë kthime më të mëdha. Në këtë mënyrë, kur mbush moshën e pensionit, i punësuari merr pensionin shtetëror dhe atë të siguruar detyrimisht në kompaninë private. Kolona tjetër është opsionale, apo kolona që ekziston edhe aktualisht. Kush i punësuar do të përfitojë një pension ekstra, paguan sigurime vullnetare në kompanitë private. Sekreti i aplikimit të skemës me tri kolona (aktualisht funksionon në të gjitha vendet perëndimore), është efekti social. Që të vendoset aplikimi i kësaj skeme duhet që fillimisht të bihet dakord për një datë. Pra, të punësuarit, deri në njëfarë moshe do të fillojnë të paguajnë sipas variantit të ri. Kjo ka një pasojë sociale, pasi vetëm një vit diferencë në moshë krijon përfitime të ndryshme. Një person vetëm një vit më i vogël, por i siguruar me skemën me tri kolona, do të përfitojë pension shumë më të lartë se një kolegu i tij me një moshë vetëm një vit më të madhe. Për këtë arsye duhet një konsensus i madh politik për të arritur në një marrëveshje që do t’u shërbejë të gjithë brezave, kryesisht atyre të rinj.
Problemet e skemës
• Qeveria ka ulur me rreth 40% barrën kontributive të bizneseve, megjithatë evidentohen dukuritë e evazionit të kontributeve, sidomos evidentohet fenomeni i punës në “të zezë”.
• Qeveria financon rreth 65% të kontributeve të fermerëve. Përsëri pjesëmarrja e tyre në skemën e pensioneve nëpërmjet pagesës së kontributeve është mjaft e ulët, duke evidentuar një numër njerëzish që nuk do të kenë mundësinë e përfitimit të një pensioni në të ardhmen.
• Skema e pensioneve publike rezulton mjaft deficitare dhe deficiti i saj po kalon 1% të PBB
• Personat që kontribuojnë me paga të larta, në nivelet 4-5-fish të pagës minimale, mund të marrin të ardhura nga pensione në nivelin 30-35% të pagës, gjë që demotivon pagesat.
Bode: Të rritim përfituesit
Gjatë javës që shkoi Bode paralajmëroi ndryshimin e skemës së pensioneve, pra rritjes së përfitimeve sipas pagës. “Ky sistem i ri që është formuluar, tashmë synon zgjidhjen e plotë dhe përfundimtare të një sërë çështjesh të tilla si vendosja e elementeve shtytëse të rritjes së pjesëmarrjes dhe pagesës së kontributeve mbi pagat reale, duke eliminuar faktorët që kanë çuar në shkëputjen e madhësisë së kontributit dhe madhësisë së pensionit, sidomos në rastet e kontribuuesve me pagën mbi mesatare”. Bode foli edhe për sistemin me tri kolona. Duke folur për ndryshimin ai theksoi se skemën do të bëhet nga asistenciale në pensionale. “Skema synon plotësimin e sistemit të sigurimeve shoqërore me të gjitha kolonat, me qëllim garantimin për të gjithë popullsinë të elementeve të sigurimit shoqëror të harmonizuar, por edhe duke rritur ndërgjegjësimin e individit për përfitimin në moshën e tretë”.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











