Pendohen 2 inspektorë të Metrologjisë

Nov 20, 2011 | 10:26

“Thyhen” dy nga tetë të arrestuarit e skandalit te Drejtoria e Metrologjisë në Tiranë. Pak orë pas aksionit të koduar me emrin “Kalibrimi”, gjatë të cilit ranë në pranga tetë persona, që nga zv.drejtori i Përgjithshëm i Metrologjisë, drejtori rajonal i Tiranës dhe gjashtë inspektorë, të dyshuarit janë marrë në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Mësohet se zyrtarët e lartë, zv.drejtori Roland Çelmeta dhe Moisi Musabelliu, nuk kanë pranuar të flasin duke kërkuar avokat, ndërkohë mes gjashtë inspektorëve, dy prej tyre janë “thyer” duke pranuar fillimisht akuzat e më pas duke dhënë shpjegime për veprimet e tyre, por edhe të kolegëve të tjerë, përfshi edhe eprorët. Burimet nga hetimi i çështjes refuzuan dje t’i bëjnë publik emrat e dy personave “të penduar” mes tetë të arrestuarve, duke i konsideruar ata bashkëpunëtorë të mundshëm të hetimit.

Procesi i drejtuar nga Njësia Task-Force pranë Prokurorisë së Tiranës ka dokumentuar deri tani me filmime e përgjime mbi 15 raste kalibrimesh fiktive dhe marrje ryshfeti nga të arrestuarit, mirëpo hetimi kishte nisur vetëm katër muaj më parë. Ndërkohë dyshohet se skema e vjedhjes dhe abuzimi vazhdonte prej kohësh. Për të zbardhur pikërisht këtë abuzim të ndodhur para nisjes së hetimit, por edhe për të mësuar detaje të episodeve që kanë ndodhur pasi dosja u hap në prokurori, hetuesit kanë marrë deklarime nga dy prej inspektorëve “të penduar” pas arrestimit. Zyrtarët e hetimit nuk komentuan të dhënat se këta persona që dhanë shpjegime janë pikërisht Kristaq Thanasi dhe Armand Xhika, të cilët kanë edhe pozitën më të rënduar penale për shkak të ekspozimit të disa rasteve flagrante korrupsioni dhe po ashtu më të shumta në numër.

Dy “të penduarve” mësohet se grupi hetimor u ka kërkuar sqarime për rolin dhe dijeninë që ka pasur zv.drejtori i Përgjithshëm i Metrologjisë, Roland Çelmeta, në lidhje me abuzimin me detyrën. Po kështu, sqarime janë kërkuar edhe për drejtorin e Tiranës, Moisi Musabelliu. Të arrestuarit Kristaq Thanasi, Moisi Musabelliu dhe Armand Xhika, sipas përgjimeve të prokurorisë, janë personat që kanë pasur komunikim me Roland Çelmetën kur ky i fundit u ka thënë të kontrollonin karburantet pasi pronarët e tyre “do t’i respektonin”. Po kështu, inspektorët janë përgjuar teksa i thonë Çelmetës se bizneset nuk japin ryshfet dhe “u thamë se do t’ju sjellim drejtorin këtu”. tr.so

Të arrestuarit

Roland Çelmeta, zv.drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë

Moisi Musabelliu, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë Kristaq Thanasi, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale së Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë

Hetem Basho, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale së Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë

Armand Xhika, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale së Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë

Armand Shuaipi, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale së Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë

Agron Damzi, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale së Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë

Sokol Lami, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale së Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë

Tiranë, Gjykata: Burg për 8 të arrestuarit

TIRANE – Gjykata e Tiranës u ka njoftuar tetë të arrestuarve masat e sigurisë të vendosura ndaj tyre në mungesë me kërkesë të Njësisë Task-Force Antikorrupsion. Të premten, një ditë pas arrestimit, tetë të arrestuarit dolën para gjykatës, por seanca ishte formale, pasi masa ishte vendosur që më parë në mungesë. Në seancën e zhvilluar pas arrestimeve, gjykata vetëm sa konfirmoi identitetin e personave dhe i njoftoi ata me masën e vendosur ndaj tyre. Sipas provave të paraqitura nga prokuroria në dosjen e dorëzuar në gjykatë, të arrestuarit e së enjtes kanë vepruar në mënyrë të paligjshme dhe abuzive me dijeninë e zv.drejtorit të Përgjithshëm të Metrologjisë, Roland Çelmeta. Bazuar në përgjimet e prokurorisë, zv.drejtori i Përgjithshëm është dokumentuar se komunikonte me vartësit e tij dhe ishte i informuar për veprimet e tyre. Në një rast ai i thotë një inspektori se një koleg tjetër kishte “marrë bukën” te karburanti ku kërkohej ryshfet. Çelmeta i ka thënë një inspektori tjetër të shkonte në një karburant në Yzberisht, sepse pronari do ta respektonte, duke nënkuptuar dhënien e ryshfetit.

© Panorama.al

Te lidhura