Dy udhëzues për Maturën Shtetërore. Në to është përmbledhur gjithçka, i cili duhet të dijë një nxënës, që bëhet pjesë e këtij procesi. I pari është “Manuali i Maturantit”. Në të, përveç mënyrës si maturantët do regjistrohen në provimet e maturës, duke plotësuar formularin A1, jepen edhe rregullat që ata duhet të zbatojnë. Në të kundërt, penalizohen. “Nëse përjashtoheni nga provimi për kopjim, humbisni këtë provim dhe të drejtën për të marrë pjesë në provimet pasardhëse për sesionin e këtij viti. Këto provime mund t’i jepni vetëm vitin e ardhshëm shkollor”, thuhet në manualin e maturantit. Ky rregull është vendosur për herë të parë këtë vit, ndaj nxënësit duhet të bëjnë kujdes, pasi kopjet do t’u kushtojnë jo vetëm humbjen e të drejtës për në universitet, por do të marrin nota jokaluese në të 4 provimet e maturës. Po kështu, në të jepen të gjitha rregullat që duhen ndjekur gjatë provimit. Ndërkaq, në udhëzuesin tjetër, ministria ka publikuar manualin, pikat bazë që ndihmojnë në përzgjedhjen e programeve të duhura. Në përmbajtje të këtij materiali janë detajimet përkatëse që nxënësi duhet të dijë për përzgjedhjen e studimeve të larta, qoftë në institucionet publike, ashtu dhe në ato private. Duke iu referuar këtyre të fundit, nxënësit kanë mundësi të evitojnë programet, të cilat nuk janë të licencuara ose të njohura nga arsimi i lartë në vend. Nëpërmjet këtyre udhëzuesve do të merren informacionet e duhura në lidhje me programet e studimit që ofrohen, titujt e profesoratit të përzgjedhur, ambientet e përshtatshme të studimit, statusin ligjor të shkollës së lartë dhe programit të studimit, tarifat e shkollës dhe kushtet e lidhjes së kontratës ndërmjet studentëve, që do të akomodohen në strukturat private.











