Pediatria, fluks fëmijësh me 3 diagnoza

Jul 22, 2011 | 11:32

Probleme me lëkurën, helmime dhe viroza të stinës. Këto janë diagnozat me të shpeshta në Pediatrinë e kryeqytetit gjatë këtyre ditëve. Mjekët thonë se piku pritet të arrihet muajin e ardhshëm. Gjatë kësaj jave janë paraqitur mesatarisht 120 fëmijë në ditë për të marrë asistencë mjekësore. Mosha më e prekur e fëmijëve është 0-4 vjeç, ndërkohë që simptomat janë nga më të ndryshmet. “Shenjat më të shpeshta kur fëmijët çrregullohen gjatë kësaj stine janë bark, të vjella ose temperaturë e lartë. Kjo mund të ndodhë edhe nga temperaturat e ambientit, kur një fëmijë qëndron shumë i ekspozuar në diell ose shkaqe të tjera, infeksione virale ose me natyra të tjera. Mosha më e prekur është nga 0 deri ne 4 vjeç”, thonë mjekët pediatër. Sipas tyre, fluksi momentalisht është i përballueshëm, ndërsa gjatë gushtit mjekët e rojës nuk arrijnë të përballojnë fluksin në orët e natës. Mjekët japin edhe këshillat e nevojshme për t’u paraprirë komplikacioneve që shfaqen në shëndetin e fëmijëve. Për të mbajtur sa me larg simptomat e mësipërme duhet treguar kujdes i veçantë sidomos në higjienën personale të fëmijës. Qëndrimi në një ambient me të sëmurin dhe në mungesë te higjienës mund të ndihmojë në përhapjen e problemeve apo infeksioneve të shfaqura, të cilat janë me natyrë ngjitëse. Një nder këshillat më kryesore që rekomandojnë mjekët është evitimi i qëndrimit jashtë në orare që konsiderohen si piku i vapës. Gjithashtu, kujdes duhet treguar edhe në konsumin e ushqimeve, të cilat duhet të kenë sa më pak përmbajtje yndyrore dhe konsumi i sa më shumë lëngjeve për të zëvendësuar humbjet e trupit.

© Panorama.al

Te lidhura