PDIU mbyll fushatën elektorale të 8 majit

May 5, 2011 | 19:35

Krei i PDIU-se, Shpetim IdriziTIRANE- Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ka mbyllur sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit. Gjatë tubimit në sheshin “Nënë Teresa” në Tiranë, kreu i kësaj partia, Shpëtim Idrizi bëri thirrje që të votojnë PDIU-në , sipas tij, alternativën për një Shqipëri më të mirë, më demokratike dhe më europiane.

Idrizi theksoi në fjalën e tij se një komb nuk mund të ecë përpara nëse nuk mbron vlerat e tij. PDIU tha ai, në shumë pak kohë është bërë zëdhënëse e të gjithë shqiptarëve kudo ku janë.

Ai premtoi se duke votuar PDIU-në, do të zgjidhim çështjen e Çamërisë.

“Jemi 300 mijë shqiptarë të Çamërisë, shumë shpejt do shkojnë në Çamëri, do ta gëzojnë Çamërinë sepse është e jona”- tha ai

Idrizi tha se për PDIU-në këto zgjedhje janë edhe lokale edhe politike, ndërsa vuri theksin tek disa nga objektivat.

“Keto zgjedhje janë politike, sepse nga forcimi ynë varet pesha jonë në vendimmarrje. Ne ju propozojmë kontroll më të sigurtë të territorit, një ligj për kryeqytetin që do ju jap fund sherreve midis palëve. Hartim të planeve urbanistike, fytyra të reja administratorësh që kanë mbi gjithçka identitetin kombëtar. Jo vetëm një Tiranë policentrike, por një Shqipëri policentrike, me disa qendra të mëdha. Krijimin e tregjeve të përbashkëta mes shqiptarëve, si parakusht për bashkimin kombëtar”

Sipas kreut të PDIU-së këto zgjedhje janë politike edhe për faktin se prej këtyre zgjedhjeve varet integrimi i Shqipërsië.

© Panorama.al

Te lidhura